Vendosni fjalën kyçe....

Edi Rama: Nuk ka asnjë vend që ka zeruar vrasjet, këto janë përralla me mbret


Kryeministri Edi Rama ka marrë fjalën në Kuvend, ku ka folur për luftën e qeverisë së tij ndaj krimit. Rama flet me superlativa kur thotë se numri i krimeve në vend është më i mirin në historinë e vendit, ndërsa thotë se as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë mundur t’i zerojnë vrasjet dhe krimet.

“Partia Socialiste është sulmuar dhe është përbaltur në mënyrë të shfrenuar, dhe e dini se pse, se ka qenë forca që i ka dhënë këtij vendi, qeveri që e kanë zhvilluar luftën me krimin si asnjëherë më parë. Kush e lufton seriozisht krimin, akuzohet pikërisht për punën e tij, kush përballet seriozisht me krimin merr baltë dhe merr goditje, pikërisht si bashkëpunëtor i krimit, kjo ka ndodhur kudo dhe në çdo vend.

Është fakt që Shqipëria sot ka një bilanc pozitiv në luftën ndaj krimit, dhe nuk ka gënjeshtër më të madhe se gjysmë të vërtetat që iu tregohen shqiptarëve çdo ditë. Sigurisht që zerimi i vrasjeve dhe vëllavrasjeve është një përrallë me mbret, pasi nuk ka asnjë vend demokratik që të ketë zeruar numrin e vrasjeve, edhe SHBA-të që e kanë kthyer në art luftën ndaj krimit, nuk i kanë zeruar as vrasjet dhe as kriminelët, dhe as policët e korruptuar.”– tha kryeministri.

Ky reagim i Ramës vjen pas kritikave dhe akuzave të deputetit të opozitës Halit Valteri, për rritjen e kriminalitetit në vend. 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *