Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ka bërë disa ndryshime me prokurorët duke i emëruar përkohësisht në detyra të reja.
Këto ndryshime sipas KLP-së bëhen për masat e ndërmarra për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Në këto vendime, KLP-ja ka sjellë në Tiranë prokurorët Donika Prela dhe Anton Martini.
Njoftimi i KLP-së:
Në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19 me qëllim për të siguruar mbrojtjen e shëndetit të anëtarëve dhe administratës së Këshillit, mbarëvajtjen e punës dhe vijimësinë normale të veprimtarisë në ushtrimin e kompetancave në ambjente të shëndetshme dhe kufizimin dhe parandalimin e transmetimit të infeksionit COVID 19 në ambjente të punës, Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi që mbledhja të zhvillohet me anë të vendimeve qarkulluese.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, mbështetur në nenin 149/a të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, në nenin 59 pika 1 dhe 4, të Ligjit 96/2016 “Për statusin e prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, në nenet 164/8, 166/2, 189/1/a të Ligjit 115/2016 “Për Organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”, i ndryshuar dhe në Rregulloren “Për caktimin e përkohshëm të prokurorëve” miratuar me Vendimin nr.64, datë 15.04.2019 të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, me propozim të Komisionit për Zhvillimit e Karrierës, ka vendosur në mënyrë unanime të miratojë projektvendimet për caktimet e përkohëshme për një afat tre mujor nga data 19.06.2020 deri më 18.09.2020, si vijon;
Miratimin e projektaktit “Për caktimin e përkohshëm të z. Abaz Muça aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat si drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Mat”;
Miratimin e projektaktit “Për caktimin e përkohshëm të z. Anton Martini, prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”;
Miratimin e projektaktit “Për caktimin e përkohshëm të znj. Donika Prela, prokurore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, të caktohet përkohësisht të ushtrojë funksionin e prokurorit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë”;
Miratimin e projektaktit “Për caktimin e përkohshëm të z. Rifat Kojku aktualisht prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër si drejtues të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër”.