Pas rritjes së numrit të të infektuarve, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, u ka kërkuar institucioneve publike dhe atyre private që të punojnë nga shtëpia.
Ai ka bërë të detyrueshme mbajtjen e maskës gjatë gjithë kohës në hapësira pubike.
“Të dashur qytetarë,
Rritja e numrit të të infektuarve me #COVID19 është shqetësuese! Mungesa e vëmendjes për parandalim të përhapjes së virusit po vë në rrezik jetët e shumë qytetarëve me ndjeshmëri të lartë, sidomos të gjyshërve e gjysheve tona!
Andaj, sipas rekomandimeve të IKShPK-së dhe OBSh-së, sot në mbledhjen e Qeverisë morëm vendim për të ngritur nivelin e reagimit institucional!” – thotë Hoti.
Një nga këto vendime, është pikërisht detyrimi për të punuar nga shtëpia.
Ai shton se ministria e Shëndetësisë po punon në ngritjen e kapaciteteve për rritjen e numrit të testeve dhe në ngritjen e qendrave të testimeve nëpër komuna.
Vendimet:
Obligohen institucionet publike dhe private që të organizojnë punën në distancë apo nga shtëpitë
Të reduktohet stafi
Të shtohen kontrollet nga inspektoratet
Të gjitha institucionet obligohen të shtojnë kontrollet në hyrje të çdo institucioni
Maskat janë obligative gjatë gjithë kohës në hapësira publike
Puna në institucione duhet të organizohet në përputhje me Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë