Vendosni fjalën kyçe....

Shkarkohet nga detyra gjyqtarja Fatmira Hajdari


Komisioni i Pavarur i Kualifikimit sapo ka shkarkuar gjyqtaren e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, pas vlerësimit në tri shtyllat e Vettingut: pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti e figurës.

Ajo tha se vendimi ishte i pritshëm, bazuar në seancën dëgjimore të para pak ditëve. Por nuk bëri asnjë koment më shumë. Avokati i saj Maks HAxhia, tha se do ta ankimonte vendimin.

“Këta nuk po pyesin për ligj xhanëm se Kushtetuta e ka, aneksi i Kushtetutës deri në dyfishin e pasurisë por këta nuk e kanë respektuar asnjëherë. Këta kanë listën dhe po pastrojnë” – tha Haxhia.

Probleme me pasurinë

Në seancën dëgjimore të para pak ditëve, DSIK-ja ka konstatuar deklarime të pasakta të pasurisë, pasi zonja Hajdari nuk ka burime të mjaftueshme financiare për të justifikuar asetet pasurore.

Problematika qëndron tek një pallat 10- katësh, disa kredi në emër të të birit, 13 apartamente dhe 1 vilë që nuk ka burime financiare të ligjshme për të mundur ta justifikuar.

“Në lidhje me pasurinë, ILDKPKI ka dërguar raport në KPK në të cilin deklaron se subjekti ka kryer deklarim të pastër, nuk rezulton me konflikt interesi, nuk ka kryer fshehje të pasurisë. Por Fatmira Hajdari nuk ka deklaruar 887m2 truall në 2013, 2015 dhe në deklaratën e vettingut. Tre njësi dhe 12 apartamente te Vilat Gjermane, 207,400 euro, pasuria në total. Gjithashtu ka mospërputhje të deklarimit të një apartamenti në deklarimet e vitit 2003 dhe në deklaratën vetting.

KPK konstaton se subjekti nuk ka deklaruar fillimin e punimeve investimin në një godinë 5 katëshe, dhe gjithashtu edhe të një objekti 10 katësh, ndërsa për këtë të fundit janë regjistruar të gjitha në emër të familjarëve. Në deklaratën vetting nuk janë deklaruara qartë pasuria e lartëpëmendur 207,400 euro.

Djali Kiri Hajdari ka shitur një lokal me vlerë 160 mijë euro tek Qyteti Studenti, të ardhura që sipas Hajdarit janë përdorur për ndërtimin e godinës. Në lidhje me të ardhurat nga bar kafeja ndër vite është konstatuar se nuk ka qenë fitimprurës në vitet 2009-2011, ndërsa mungon dokumentacioni i të ardhurave. Mungon informacioni në lidhje me të ardhurat. Ka blerë dy makina Mercedez Benz 53 mijë euro dhe 19.800 euro”- tha trupa Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.

Revokimi i vizës nga SHBA-ja

Pyetjes “A ju është refuzuar hyrja në ndonjë vend të BE-së, Hajdari ka thënë “JO”. Por mesa duket asaj i është revokuar viza për në SHBA.

Vetë Hajdari ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për refuzimin e vizës, nuk është pyëtur për këtë dhe se nuk ka aplikuar kohët e fundit.

“Fatmira Hajdari ka bërë deklarim të pasaktë. Mosdeklarimi e ngarkon me përgjegjësi për të dhëna të pasaktë në formular dhe DSIK mbërrin në konkluzion për papërshtatshmërinë e Hajdarit për vijimin e detyrës. Subjekti ka deklaruar se nuk është pyetur për revokim vize. Ajo ka shpjeguar se deri në momentin e plotësimit të formularit nuk ka pasur dijeni për revokimin.”– thuhet në raportin e DSIK-së./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *