Shoqërimi i gazetarit Elvis Hila nga policia i cili po raportonte për aksionin e IKMT-së, është dënuar nga Kreu i Shtetit Ilir Meta.
Në reagimin e tij, Meta dënon me forcë rastet e përsëritura të dhunës dhe kërcënimit policior mbi gazetarët.
Më tej, Meta ka inkurajuar gazetarët që të shërbejnë me guxim për informimin publik dhe të respektojnë ligjin.
Meta gjithashtu ka bërë edhe një apel për policinë ku i ka kërkuar të tregohet profesionale dhe të respektojë ligjin dhe të drejtat e gazetarëve.
“Dënoj me forcë rastet e përsëritura të dhunës, shantazhit dhe kërcënimit policor mbi gazetarët në krye të detyrës, siç është edhe rasti i fundit i shoqërimit pa asnjë shkak të justifikuar ligjor të gazetarit z.Elvis Hila, i cili po raportonte për aksionin e IKMT në Shëngjin.
Duke shprehur solidaritetin e plotë me z.Hila, inkurajoj të gjithë gazetarët t’i shërbejnë me guxim, kurajo e profesionalizëm dhe transparencë informimit publik, bazuar vetëm mbi faktet dhe të vërtetat.
I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë profesionalizëm, të respektojë ligjin, lirinë dhe të drejtat e gazetarëve dhe të distancohet nga praktikat abuzive që na kthejnë pas në kohët më të errëta të dhunimit të të drejtave të njeriut, që e dëmtojnë rëndë imazhin e saj dhe të Shqipërisë.
Apeloj zbardhjen e plotë dhe hetimin me përgjegjshmëri maksimale të kësaj ngjarjeje dhe ndëshkimin pa hezitim të autorëve të këtij akti, si dhe të gjithë atyre që në mënyrë të përsëritur frymëzojnë dhunën, shantazhet dhe kërcënimet ndaj gazetarëve”-shkruan Meta.