Spitali i Vlorës ka reaguar pas akuzave të PD-së, se ai është kthyer në vatrën e infeksionit në qytetin bregdetar.
Në një shkrim në faqen zyrtare në ”Facebook”, spitali rajonal i Vlorës pranon se një punonjëse e shëndetësisë është konfirmuar me koronavirus.
“Një personel shëndetësor asimptomatik që ka rezultuar pozitiv është infektuar jashtë spitalit duke qenë pjesë e rrethit të kontakteve të personave të testuar më parë.
Punonjësja, për arsye të tjera shëndetësore ka qenë me paaftësi të përkohshme gjatë kësaj kohe”- thuhet në njoftim.
Megjithatë hedh poshtë akuzat e PD-së se është kthyer në vatër infeksioni, madje thotë që do bëjë edhe një kallëzim penal ndaj zyrtarëve që kanë bërë akuzat.
“Spitali Rajonal Vlorë që është një nga pikat referuese të jetës në komunitet, bën me dije se në deklaratën e PD Dega Vlorë ka një keqinformim keqdashës!
Qëllimi për të dëmtuar biznesin, ekonominë e qytetit nëpërmjet panikut të përhapur nga një mashtrim i tillë për personelin shëndetësor dhe situatën në spital, i bën jo vetëm keqdashës por edhe objekt të kallëzimit që institucioni do të bëjë pranë organeve përkatëse gjyqësore.”– thuhet në reagimin e këtij institucioni.
Spitali rajonal thotë se prej muajsh ka zbatuar rregullat për COVID-19, duke ndaluar hyrjet e familjarëve për të mbrojtur personelin si dhe vetë pacientët.