Policia e kryeqytetit ka arrestuar 22-vjeçar i cili dyshohet se është një nga bashkëpunëtorët në vrasjen e ndodhur në Tiranë më 11 qershor ku mbeti viktimë Hekuran Billa.
Policia bën me dije se 22-vjeçari me iniciale S.M është nipi i Prel Markut i cili u vra nga Billa në Angli në vitin 2006.
“Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi, në datën 11.06.2020, rreth orës 21:50, në rrugën ”Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit H. B. Shtetasi S. M. është nipi i shtetasit P. M., i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga shtetasi H. B.
Menjëherë, pasi ndodhi kjo ngjarje është bërë edhe shpallja në kërkim e shtetasit V. M., si një nga autorët e dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në cilësinë e provës materiale janë sekustruar 3 automjete dhe një sërë provash të tjera materiale, me të cilat dokumentohet implikimi i këtij shtetasi në këtë ngjarje.
Ndërkohë, vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë ngjarje.
Materialet për ndalimin e shtetasit S. M. i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja për gjakmarrje”, e kryer në bashkëpunim dhe ”Armëmbajtja pa leje”-thuhet në njoftimin e policisë.