Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pas takimit me ministrin e Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë se nëse një ofertë e mundshme për Serbinë është që njihet pavarësia e Kosovës dhe Kosova të futet në OKB në këmbim që Serbia të mos marrë asgjë por vetëm anëtarësim në BE, përgjigjja e shtetit serb do të jetë “jo”, shkruan Tanjug.
Vuçiq tha sot se ka folur me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, për të gjitha temat dhe, sipas tij, kjo periudhë është më e vështira për Serbinë që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës.
Aleksandër Vuçiq pas takimit para gazetarëve tha se është i brengosur pas disa informacioneve nga diplomati rus, Lavrov.
Ai tha sot se ka pranuar informacione të caktuara nga kryediplomati rus, Sergei Lavrov, sipas të cilit një periudhë e vështirë pritet në vazhdim për Serbinë, për të cilat do të përballen me presione të mëdha lidhur me Kosovën në mënyrë që të realizohen plane të mëdha.