Kadastra e Vlorës rezulton të jetë posti më i nxehtë në qeverinë Rama. Që prej shtatorit 2019 deri ditën që flasim janë ndërruar plot tetë drejtorë, i fundit ditën e sotme.
Në total, Kadastra e Vlorës ka parë 12 drejtorë dhe pret të 13-in.
Gjashtë nga tetë drejtorët e larguar janë dorëhequr ndërsa njëri prej tyre ka qenë i emëruar përkohësisht.
Më jetëgjati në detyrë që nga periudha e dorëheqjeve masive është Klodian Troci, i cili e ka mbajtur postin për rreth 13 muaj (korrik 2018 – shtator 2019), ndërsa më jetëshkurtra është drejtoresha e parafundit, Viola Hima, vetëm 4 ditë (maj 2020 – qershor 2020).
Ndërsa në total drejtori më jetëgjatë është Rezart Elmazi, i cili ka qenë në detyrë që nga tetori 2015 deri në korrik 2017, rreth 1 vit e 10 muaj.
Drejtori i fundit, Jurgen Pilkati qëndroi në detyrë rreth dy javë (3 qershor 2020 – 19 qershor 2020).
Sipas një hulumtimi të BIRN-it, dorëheqjet e shumta në Kadastrën e Vlorës kanë të bëjnë me një konflikt të fortë për një tokë me vlerë miliona euro në bregdetin e fshatit Jalë. Sipas tij, dorëheqjet lidhen me refuzimin nga zyrtarët e Kadastrës Vlorë për të regjistruar një vendim të Gjykatës së Lartë që pezullonte veprimet e regjistrimit të pronësisë mbi një sipërfaqe toke prej 14,8 hektarësh në bregdetin e fshatit Jalë.
Përplasja – sipas dokumenteve që BIRN ka siguruar – është fokusuar kryesisht mbi pronësinë e 1.6 hektarëve truall, mbi të cilat është ndërtuar klubi i natës Folie Marine dhe dy godina pjesë të së njëjtit kompleks turistik. Mbi të njëjtën pronë, kompanisë Soleil & Sea i është dhënë nga qeveria statusi i “investitorit strategjik”dhe po ndërton aty një fshat turistik të njohur si Soleil Village.
Një prej palëve në konflikt, Kristo Gjoka, nga fshati Vuno, i cili fitoi të drejtat mbi pronën me vendim e shkurtit 2019 të Gjykatës së Apelit Vlorë, akuzon në një kallëzim penal biznesmenin Alban Xhillari dhe të afërm apo të njohur të këtij të fundit se po përdorin ndikimin e tyre në qeveri për t’ua rrëmbyer pronën me dokumente të falsifikuara, nën pretekstin e investimit strategjik.
Biznesmeni Xhillari është kundërpërgjigjur po ashtu me kallëzim penal ndaj Gjokës dhe personave të lidhur me të, që i cilëson “pjesë e një grupi të strukturuar kriminal”.
Pse japin dorëheqjen drejtorët? A ka lidhje kjo dorëheqje me toka të bregdetit?! Çfarë kundërshtojnë të firmosin ata?!
Lista e drejtorëve
- Jurgen Pilkati (Ish-këshilltar për Teknologjinë dhe Inovacionin në Ministrinë e Drejtësisë) 3 qershor 2020 – 19 qershor 2020 (dorëheqje)
- Viola Hima (PS, ish-nëndrejtoresha e Kadastrës) 4 ditë në detyrë maj – qershor 2020 (dorëheqje)
- Bilbil Aliaj 4 shkurt – 22 maj 2020 (dorëheqje)
- Taulant Canameti (PS, Jurist) nëntor 2019-shkurt 2020 i emëruar përkohesisht
- Elona Hodaj (PS, Juriste) shtator 2019 – tetor 2019 (dorëheqje)
- Alteo Nazëraj (Jurist) shtator 2019 – shtator 2019 (dorëheqje)
- Florian Alimadhi (PS, Ish-shefi i Zyrës Juridike në Drejtorinë e Kadastrës) maj 2019 – shtator 2019 (dorëheqje)
- Klodian Troci (PS, Jurist) korrik 2018 – shtator 2019 (shkarkuar)
- Sokol Banaj (Zv.rektori i Universitetit Ismail Qemali, Vlorë) janar 2018 – korrik 2018
- Rezart Elmazi (PS, Jurist) tetor 2015 – korrik 2017
- Loreta Alushi Tozaj (PS, Pedagoge e Drejtësisë) dhjetor 2014 – tetor 2015
- Ina Luçi (LSI) tetor 2013-dhjetor 2014