Vendosni fjalën kyçe....

Rama shkel konfidencialitetin e të dhënave të pacientit me vëllezërit Budina


Me nxjerrjen e emrave të Robert dhe Edmond Budinës se janë infektuar me COVID-19, Kryeministri Edi Rama ka shkelur konfidencialitetin e të dhënave të pacientit.

Nxjerrja e të dhënave të pacientit sanksionohet si nga Ligji Nr.9887, datë 10.3.2008 “për mbrojtjen e të dhënave personale” edhe nga Neni 30 pika 5 e ligjit “për kujdesin shëndetësor”.

Në nenin 30 pika 5 thuhet se “Profesionistët e shëndetit dhe përdoruesit e sistemeve të informacionit shëndetësor, në të gjitha institucionet e ofrimit të kujdesit shëndetësor, janë përgjegjës për cilësinë dhe saktësinë e të dhënave të regjistruara, në format elektronik ose në letër, si dhe për ruajtjen e konfidencialitetit të të dhënave, sipas legjislacionit në fuqi për ruajtjen e të dhënave personale”.

“Të dhëna sensitive” sipas Ligjit Nr.9887, datë 10.3.2008 është çdo informacion për personin fizik, që ka të bëjë me origjinën e tij racore ose etnike, mendimet politike, anëtarësimin në sindikata, besimin fetar apo filozofik, dënimin penal, si dhe të dhëna për shëndetin dhe jetën seksuale.

Deri më tani familjarë apo vetë vëllezërit Budina nuk kanë konfirmuar se janë infektuar me virusin e ri korona.

Rama në postimin e tij në Twitter shkruante për infektimin me COVID-19 të dy vëllezërve Budina.

Më vjen sinqerisht keq që dy vëllezërit Budina kanë rezultuar pozitiv në testin për Covid19! U uroj ta kalojnë sa më lehtë dhe të kenë shërim të shpejtë! Të gjithë duhet të bëjmë kujdes maksimal sepse virusi s’ka ikur dhe po përfiton nga neglizhenca e qytetarëve ndaj rregullave!”-shkruan Rama.

Në bazë të ligjeve në fuqi publikimi i të dhënave shëndetësore është i ndaluar ndërsa Kryeministri Rama zgjodhi që të bënte publik të dhënat për vëllezërit Budina.

Vëllezërit Budina janë dy aktivistët kryesorë të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ku së fundmi ishin duke zhvilluar një proces të mbledhjes së firmave në çdo qytet të Shqipërisë për rindërtimin e Teatrit Kombëtar.

Nuk dihet nëse vëllezërit Budina do hapin proces gjyqësor kundrejt publikuesve të të dhënave shëndetësore të tyre./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *