Vendosni fjalën kyçe....

Balla: Përkthimet e gabuara të opinionit të Venecias e të servirura në media, s’i shërbejnë reformës në drejtësi


Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Balla, tha ditën e sotme se dy opinionet e Komisionit të Venecias të publikuara ditën e djeshme i shërbejnë ecurisë së reformës në drejtësi dhe rregullimit të një sektori të rëndësishëm të demokracisë si ai i mediave.

Në një konferencë për mediat, Balla, theksoi opinionet tregojnë traditën e suksesshme të bashkëpunimit me Komisionin e Venecias ndërsa shtoi se opinionet duhen lexuar me kujdes e vëmendje.

“Opinionet duhen lexuar e analizuar me vëmendje, pa euforinë si tifoza të ndonjë ekipi të kategorisë së tretë, dhe me qëllimin e vëtem që t’i shërbejnë zbatimit të shpejtë të reformave në vend, të shumëpritura nga shqiptarët. Nuk është detyrë e Komisionit të Venecias të analizojë sjelljen e palëve në raport me zbatimin e ligjit, por e autoriteteve kompetente shqiptare. Është detyra jonë si ligjvënës që opinionet të mos i lexojmë me disa fjali të shkëputura, por në tërësinë e tyre. Parlamenti si përfaqësues i sovranitetit të popullit ka përgjegjësi që jo vetëm të zbërthejë çdo rekomandim të opinioneve por edhe të adresojë hapat e duhur për zbatimin e tyre.” – tha Balla.

Balla shtoi më tej se procesi nuk mund të jetë një proces ekzaltimi që minimizohet vetëm në kush ka të drejtë dhe se kjo qasje bashkë me përkthimet e gabuara e të sërvirura në media sipas interesit nuk i shërbejnë reformës në drejtësi.

“ Si i tillë ky proces nuk mund të jetë një proces ekzaltimi që minimizohet vetëm në ‘kush ka të drejtë’ por vetë publiku do të mund t’i lexojë e të na gjykojë. Kush nuk e kupton këtë dhe e sheh Venecian me ‘kush fiton’, nuk ka shqetësim as demokracinë, as ligjin dhe as standardet. As kjo qasje, as përkthimet e gabuara e të servirura në media sipas interesit nuk i shërbejnë reformës në drejtësi.” – shtoi Balla.

Deklarata e Ballës

Komisioni i Venecias dje më datë 19.06.2020 miratoi dy opinione Nr 978/2020 dhe nr 980/2020 mbi emërimet e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe mbi draft-ligjin e mediave.

Këto opinione i shërbejnë ecurisë së mëtejshme teë reformës në drejtësi si dhe nevojës imediate për të rregulluar një sektor të rëndësishëm të demokracisë në vend siç është ai i medias.

Këto opinione demonstrojnë traditën e gjatë e të sukseshme të bashkëpunimit tonë me Komisionin e Venecias për konsulencën e vyer në forcimin e institucioneve demokratike dhe shtetin ligjor.  

Dua të falënderoj këtu ekipin në Kuvend që bahkëpunuan në një komunikim disa-mujor me Komisionin e Venecias.

Opinionet duhen lexuar e analizuar me vëmendje, pa euforinë si tifozë të ndonjë ekipi të kategorisë së tretë dhe me qëllimin e vetëm që t’i shërbejnë zbatimit të shpejtë të reformave në vend, reforma të shumëpritura nga shqiptaret.

Nuk është detyrë e Komisionit të Venecias të analizojë sjelljen e palëve në raport me zbatimin e ligjit por e autoriteteve kompetente shqiptare.

Është detyra jonë si ligjvënës që opinionet të mos i lexojmë me disa fjali të shkëputura, por në tërësinë e tyre. Parlamenti si përfaqesues i sovranitetit të popullit ka përgjegjësi që jo vetëm të zbërthejë çdo rekomandim të opinioneve por edhe të adresojë hapat e duhur për zbatimin e tyre.

Si i tillë ky proces nuk mund të jetë një proces ekzaltimi që minimizohet vetëm në ‘kush ka të drejtë’ por vetë publiku do të mund t’i lexojë e të na gjykojë.

Kush nuk e kupton këtë dhe e sheh Venecian me ‘kush fiton’, nuk ka shqetësim as demokracinë, as ligjin dhe as standardet. As kjo qasje, as përkthimet e gabuara e të servirura në media sipas interesit nuk i shërbejnë reformës në drejtësi.

Venecia është një trupë profesionistësh të spikatur që ka mision të kontribuojë në forcimin e demokracisë përmes ligjit duke ndihmuar me opinionet e tyre shtetet anëtare të KiE e më gjerë të vendosin standardet më të mira për çështjet që lipset mendim.

 

Në rastin e zhbllokimit e funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese, iu drejtuam Venecias për rekomandime dhe sqarimin e çështjeve që lidhen me reformën në drejtësi si në zbatueshmërinë e mekanizmave zhbllokues – parashikime ligjore që konsiderojnë emërimin e gjyqtarit kushtetues të kryer automatikisht në rast mungese veprimi brenda një afati që cakton ligji, nga kuvendi apo presidenti.

Kemi kërkuar të sqarojmë gjithashtu nëse moszbatimi i ketyre mekanizmave zhbllokuese e cënon parimin se qytetarët duhet të gjykohen nga gjykata e krijuar me ligj.

Në këtë opinion Komisioni i Venecias konstaton se:

Bllokimi i funksionalitetit të Gjykatës Kushtetuese dhe vonesat në emërimet e reja në këtë Gjykatë

-Si pasojë e vettingut disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese u shkarkuan nga detyra; disa të tjerë dhanë dorëheqjen apo u mbaroi mandati;

-Mosfunksionim i KED për vitin 2007 dhe 2008 për shkak se pjesa e më e madhe e anëtarëve të tyre ishin të pavetuar; Kushtetuat parashikon që anëtarët e KED të vetohen menjëherë;

-Vende vakante të krijuara në të njëjtën kohë në Gjykatën Kushtetuese;

-Numër i kufizuar i kandidatëve për gjyqtarë kushtetues për shumë vende vakante;

-Barrierë në bashkëpunimin midis Kuvendit dhe Presidentit në kushtet e zhvillimit të procedurës së shkarkimit të Presidentit;

-Dispozita të paqarta në Kushtetutë;

 Komisioni i Venecias Rekomandon

  1. Rekomandime për procesin e vettingut

Ndërsa reforma e gjyqësorit dhe procedura e vettingut mbeten prioritet dhe duhet të çohen në një përfundim të mirë, duhet të vlerësohet nëse rregullat siç zbatohen lejojnë një përfundim të shpejtë të procesit të vettingut, veçanërisht në rast se verifikimi i gjyqtarëve çon në gjykata jofunksionale, veçanërisht ato të larta.

  1. Rekomandime në lidhje me procesin e emërimit të gjyqtarëve kushtetues

Sekuenca – Radha e emërimeve në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë

Radha për emërimet në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti, Parlamenti dhe Gjykata e Lartë i referohet alokimit të vendeve vakante dhe jo radhës së vendimeve aktuale të emërimit të gjyqtarëve. Tre autoritetet janë të pavarura dhe mund të veprojnë në mënyrë autonome në emërimet përkatëse. Mungesa e emërimit të anetarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Gjykata e Lartë nuk pengon Kuvendin dhe Presidentin të zgjedhin/emërojnë anëtarët përkatës të Gjykatës Kushtetuese.

Mekanizmi zhbllokues

Mekanizmi zhbllokues për emërimet nga Presidenti dhe Gjykata e Lartë, i parashikuar në Ligjin e Gjykatës Kushtetuese duket se ka ndikuar në krijimin e një konflikti. Ndërsa ky mekanizëm është në fuqi dhe detyrues, rekomandohet të vihet në tekstin e Kushtetutës, sic është për Kuvendin.

Pezullimi i afatit 30 ditor të mekanizmit zhbllokues

Pezullimi i këtij afati nuk parashikohet në Kushtetutë e në ligj. Pezullimi mund të justifikohet nëse ka një vakum ligjor.

Sipas Venecias bllokimet e qëllimshme dhe me vullnet të keq mund të konsiderohen si pezullime të paarsyeshme të afatit të një mekanizmi zhbllokues. Gjithsesi një parashikim i tillë nuk gjendet në ligj.

Nisma e mazhorancës për betimin e gjyqtarit Kushtetues para Presidentit

Parashikimet që përmban draftligji për betimin, nëse çmohen të nevojshme për të evituar bllokimet e mundshme në të ardhmen dhe abuzimet me të drejtën e betimit nga ana e Presidentit, si një e drejtë formale ceremoniale, të parashikohen në Kushtetutë.

  1. Rekomandime në lidhje me punën e KED

– ndryshim i rregullores së KED, duke mundësuar qe Avokati i Popullit të marrë pjesë dhe në mbledhjet (dhomë këshillimi) ku KED merr vendime për kandidatët. Kjo për hir të rritjes së transparencës së KED. Ky rekomandim për t’u adresuar kërkon ndryshime në Ligjin n.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” dhe legjislacionit në fuqi për organet kolegjiale.

– Të botojë sa më parë procesverbalet e mbledhjeve.

– KED duhet të kryejëlistimin e kandidatëve vetëm kur dosjet e teë gjithë kandidatëve në listë janë të plota dhe se Kryetari i KED duhet të dergojë listën së bashku me dosjet menjëherë te të gjitha institucionet përkatëse pa vonesë.

– Të propozojë kandidatë të vetuar.

  1. Nevoja për bashkëpunimi institucional

Venecia nxit bashkëpunim midis Kuvendit dhe Presidentit, në veçanti kur ka pak kandidatë për shumë vende vakante, me qëllim dakordësinë për zbatimin e procedurave që zhbllokojnë situata problematike.

  1. Nevoja për ndryshime Kushtetuese

Venecia rekomandon ndryshime të Kushtetutës për ta qartësuar dhe lehtësuar procedurën e emërimit të gjyqtarëve kushtetues si dhe garantimin e mandatit të plotë 9-vjeçar për secilin prej tyre.

  1. Të tjera

Emërimi i gjyqtarit të fundit nga Presidenti

Mungesa e kandidatëve, fakti që lista e KED dërguar Presidentit mbeti pa kandidatë pas emërimit nga Kuvendi të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe paqartësitë në dispozitat ligjore kushtetuese sipas Venecias, mund të konsiderojnë të arsyeshme emërimin e fundit të Presidentit kryer tej afatit 30 ditor dhe jashtë listës me tre kandidatët e renditur të parët nga KED, dhe pse vetë Venecia pranon se pezullimi i mekanizmit zhbllokues nuk përligjet në asnjë dispozitë ligjore.

Përgjigja e pyetjes: “A jemi para cënimit të parimit të gjykatës së krijuar me ligj”:

Nuk ka përgjigje për këtë pyetje nga Komisioni i Venecias në opinion e vet. Ky ka qënë në fakt shqetësimi kryesor i Kuvendit sepse risku që palët të godasin vendimet e Gjykatës Kushtetuese në GJEDNJ, nëse anëtarë e trupës gjykuese është gjyqtarja e emëruara nga Presidenti në kapërcim të kritereve të mekanzimit zhbllokues, është real dhe i lartë.

Të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias, që kanë në thelb ndryshime ligjore do të analizohen me kujdes me parteneret tanë ndërkombëtarë për të mos humbur asnjë ditë kohë për zbatimin e shpejtë të reformës. Ndërsa rekomandimet për bashkëpunime institucionale janë jo vetëm detyrë për secilin nga institucionet e këtij vendi por edhe një nevojë për vijmësinë e suksesshme të reformës në drejtësi, brenda korpusit ligjor të paketës së reformës në drejtësi.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *