Një gjykatës amerikan ka hedhur poshtë kërkesën e presidentit Donald Trump për të ndaluar publikimin e një libri nga ish-këshilltari i tij i Sigurisë Kombëtare, John Bolton.
Departamenti i Drejtësisë argumentoi se libri nuk ishte verifikuar si duhet. Gjykatësi tha se qeveria “nuk kishte arritur të përcaktojë se urdhri i ndalimit, do të parandalonte një dëm të pariparueshëm”.
Gjyqtari tha se Bolton po luante “kumar” me sigurinë kombëtare të SHBA-ve dhe se tashmë “ekspozoi vendin e tij ndaj dëmtimit”. E pavarësisht kësaj, e rrëzoi kërkesën e qeverisë për të ndaluar librin. Kjo sepse sipas tij, dëmi tashmë ishte bërë.
“Duke e marrë përsipër vetë për të botuar librin e tij pa siguruar miratimin përfundimtar nga autoritetet e inteligjencës kombëtare, Bolton me të vërtetë mund t’i ketë shkaktuar vendit dëm të pariparueshëm.
Por në epokën e internetit, edhe një pjesë e vogël e kopjeve në qarkullim mund të shkatërrojnë në mënyrë të pakthyeshme konfidencialitetin. Një individ i vetëm i përkushtuar, me një libër në dorë mund të botojë përmbajtjen e tij larg nga kafeneja më e afërt. Me qindra mijëra kopje në të gjithë globin – shumë në redaksitë e lajmeve – dëmi është bërë. Nuk ka rikthim të status quosë”– shkroi gjyqtari, citon BBC.
Administrata thotë se libri përmban informacion konfidencial të sigurisë kombëtare që duhet të mbahet sekret edhe pse disa media amerikane morën kopje paraprakisht dhe nisën të raportojnë gjerësisht rreth akuzave të zotit Bolton.
Avokatët e departamentit të drejtësisë argumentuan se z. Bolton kishte shkelur detyrimin para ligjit për të përfunduar një rishikim para botimit të dorëshkrimit të tij për të siguruar që ai nuk përmbante informacion të klasifikuar.
Por avokatët e Bolton hodhën poshtë kërkesën. Ata këmbëngulën që dorëshkrimi u ekzaminua plotësisht dhe se Trump-it thjesht nuk i pëlqeu përmbajtja.