Partia Demokratike ka denoncuar dështimin e administrit të mbetjeve në Tiranë.
Në një video të publikuar nga zëdhënësja e selisë blu, Zhupa, gjendja në landfillin e Sharrës është një nga provat që duhet të administrojë SPAK-u në hetimin ndaj kryebashkiakut Veliaj në pastrimin e parave të pista të mafias italiane nëpërmjet kompanisë ‘Eco Tirana’.
Zhupa shkruan më tej se Veliaj ka premtuar një situatë krejt ndryshe nga ajo që është sot në landfillin e Sharrës por pamjet filmike faktojnë krejt të kundërtën.
“Administrimi i mbetjeve në Tiranë ka dështuar! Gjëndja e Landfillit të Sharrës është një nga provat që duhet të administroi SPAK në hetimin e Veliajt në pastrimin e parave të pista të mafias italiane nëpërmjet kompanisë “Eco Tirana” sh.a. Veliaj ka premtuar një situatë krejt ndryshe nga ajo që është sot në Landfillin e Sharrës, edhe jo vetëm e ka premtuar por ka paguar nga paratë tona dhe ka lidhur një kontratë ku “ECO TIRANA” sh.a merrte detyrimin që do ndryshonte gjëndjen e administrimit të mbetjeve të Tiranës.
Pamjet filmike faktojnë që gjëndja e trajtimit të mbetjeve në Landfillin e Sharrës është e rëndë dhe me pasoja të mëdha në mjedis, në shëndetin e njerëzve dhe në financat e buxhetit të Bashkisë Tiranë që rendojnë drejtpërdrejtë në xhepat e qytetarëve. Prej 5 vitesh Bashkia Tiranë ka krijuar një zinxhir kompanish si “Eco Tirana” sh.a , “Eco Recycling” sh.a dhe kontraktimi i inceneratorit korruptiv “Integrated Energy BV SPV” që merren me administrimin e mbetjeve.
Por ky zinxhir kompanish është paguar dhe paguhet shtrenjtë nga qytetarët edhe ka dështuar për të dhënë rezultat. Kompania “Eco Tirana” sh.a do administronte mbetjet, procesin e diferencimit në burim dhe ricikliklimin e mbetjeve por kjo nuk ka ndodhur kurrë. Veliaj nuk mund të fshihet pas kasetave të gatshme me propagandë! Veliaj duhet të përgjigjet përpara drejtësisë!” – shkruan Zhupa.