Policia në Bulqizë vijon kërkimet për kapjen e Feruzan Shehut, i cili akuzohet se qëlloi me armë ndaj biznesmenit Gëzim Balla, akuza të cilat ai i ka mohuar.
Kunati i Shehut thotë se policët kanë shkuar të kërkojnë edhe në banesën e tij gjatë natës, duke i terrorizuar fëmijët e vegjël.
Në një prononcim për televizionin “News24”, Lulzim Cakalli u shpreh i irrituar për veprimin e oficerëve të policisë, të cilët i ishin futur në banesë gjatë natës, me armë dhe pa uniforma. Ai thotë se fëmijët e tij s’kanë vënë gjumë në sy gjithë natën, nga frika e policëve.
“Policia ka dyshuar se kunati im është fshehur këtu. Kanë ardhur me forcë e janë futur këtu, kanë shtyrë derën, gruan e fëmijët dhe janë futur pa uniformë policie. Ata kanë ardhur në darkë, në 21:30, maksimumi 22:00. Ata nuk janë prezantuar fare, kanë ardhur me armë, krejt civilë, dhe kanë terrorizuar fëmijët, gruan.
Kanë bërë shumë terror te fëmijët, mbrëmë nuk kanë fjetur fare nga terrori që kanë ardhur. Është shumë e ulët dhe e frikshme të vijë punonjësi i shtetit me armë në dorë para fëmijëve të vegjël. Kunati im dyshohet se ka qëlluar Gëzim Ballën, deri diku nuk është e vërtetë, por le ta vendosë drejtësia, edhe pse nuk ka drejtësi këtu në Shqipëri”, tregon kunati i Shehut.
Për kamerat flet edhe vajza 10-vjeçare e Cakallit, e cila tregon se është trembur shumë.
“Erdhi policia, hapi derën me forcë, shtynë mamin, prishën këndin dhe kontrolluan gjithë shtëpinë. Filluan të kontrollojnë me armë në dorë. Jam trembur shumë dhe nuk kam fjetur gjumë gjithë natën. Ishin të gjithë civilë, e kishin rrethuar gjithë pallatin. Kur hynë brenda shtynë mamin dhe thanë ku është Furizan Shehu”, shprehet e mitura.
Furizan Shehu i ka mohuar akuzat se ka qëlluar me armë drejt biznesmenit Gëzim Balla. Ai tha dje se kishte qenë i paarmatosur dhe se konfliktin nuk e kishte patur fare me biznesmenin, por me kryebashkiakun Lefter Alla.