Analisti Mero Baze beson se propozimi i opozitës parlamentare duhet të çohet me çdo çmim në Kuvend, dhe aty sipas tij do të provohen vërtet kreu i opozitës Lulzim Basha dhe kryeministri Edi Rama.
“Ndaj propozimi i opozitës parlamentare duhet të çohet me çdo çmim në Kuvend, dhe aty të provohet nëse Lulzim Basha është vërtet për lista të hapura, siç gënjen ambasadorët, dhe Edi Rama është vërtet i vendosur të bëjë ndryshimet që kërkoi OSBE/ODIHR, por që ai nuk ja prishte dot Bashës dhe la ato që ishin.”– shkruan Baze.
Në një shkrim për gazetën e tij “Tema”, Baze analizon qëndrimet e dy liderëve kundërshtarë lidhur me ndryshimin e sistemit zgjedhor.
Të dy mesa duket janë shprehur se janë të hapur, por kanë gjetur nga një kleçkë se përse nuk kanë kërkuar ndryshimin e sistemit.
“Nëse skanon qëndrimet e dy blloqeve kryesore politike ndaj kësaj marrëveshje, shikon se PD e ka agresuar atë si lojë të qeverisë, por nuk është shprehur për propozimet, përveç panikut nga heqja e mundshme e koalicioneve.
Partia Socialiste e ka lënë të hapur shqyrtimin e propozimeve, por nuk ka bërë debat për cilësinë e propozimeve.
Shmangia e debatit për propozimet e opozitës palamentare vjen, së pari nga fakti se dy partitë e mëdha nuk duan të shprehen për hapjen e listave, në kushtet kur sondazhet tregojnë se ato kanë mbështetje të lartë popullore.“– shkruan analisti.
Sipas Bazes, fakti që Partia Demokratike nuk debaton për to, tregon se ajo i druhet kauzës popullore që përfaqëson ndryshimi i sistemit.
E për të treguar se dy liderët kanë vërtet vullnet për të ndryshuar sistemin, sipas tij duhen çuar në Kuvend propozimet e opozitës parlamentare, që kërkojnë ndryshim sistemi, depolitizim të administratës zgjedhore, hapje të listave, etj.