Ashtu siç pritej, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti është zgjedhur nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas shkarkimit të Vjosa Osmanit nga strukturat drejtuese të partisë.
Lajmi është konfirmuar nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.
“Kam nderin tu njoftoj se deri në përfundim të afatit të shprehjes së qëndrimit tuaj, më 20 qershor 2020 në ora 19:00, pyetjeve: A e përkrahni propozimin që z. Avdullah Hoti të jetë nënkryetar i LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 99 anëtarë, prej tyre 92 janë shprehur për (Po); 3 janë shprehur kundër (Jo), 4 kanë abstenuar dhe 24 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim.
Ndërsa për sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”– shkruan Mustafa.
Kujtojmë se Osmani u shkarkua nga postet në parti, pasi kishte shprehur pakënaqësi lidhur me qeverinë e re të Kosovës të cilën nuk e votoi.