Vendosni fjalën kyçe....

Vrasja e Hekuran Billës, arrestohet 32-vjeçari nga Shkodra


Policia ka arrestuar një tjetër person lidhur me vrasjen e Hekuran Billës. Në pranga ka përfunduar 32 vjeçar nga Shkodra, Andi Agraja.

I riu është arrestuar gjatë kontrolleve në një lokal, i cili është përpjekur t’i arratiset forcave të rendit por e kanë kapur atë.

Ai kishte një armë zjarri në një çantë dore që mbante me vete, të cilën e ka hedhur në momentin që është pikasur nga policia.

Me arrestimin e Agrajës, shkon në tre numri i personave të arrestuar lidhur me vrasjen e Billës. Kujtojmë se i arrestuari i parë qe një 22 vjeçar i quajtur Sebastjan Mali, nipi i shtetasit Viktor Marku, autor i dyshuar i vrasjes.

Më pas u arrestua vetë Marku në Mal të Zi, ku qëndronte i fshehur pa dokumente.

Grupi hetimor beson se autor i vrasjes është Viktor Marku, vëllai i të cilit u vra më 14 tetor të vitit 2006 në Angli, ngjarje për të cilën Hekuran Billa qe dënuar me minimumi 33 vite burg.

DETAJET E POLICISË

Vijojnë veprimet hetimore dhe profesionale për dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi H. B.

Krahas veprimeve hetimore vijojnë kontrollet për kapjen dhe shoqërimin e personave të tjerë që mund të kenë dijeni apo mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.

Gjatë kontrolleve të shtuara është kapur në një lokal, një shtetas që mbante armë zjarri pistoletë me vete dhe tentoi të largohej me vrap, por u kap dhe u arrestua në flagrancë nga Policia.

Nga shërbimet e Policisë në Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës dhe në Sektorin e Operacioneve Speciale në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë janë ushtruar kontrolle të shumta në disa ambiente lokalesh, banesa dhe servise automjetesh.

Si rezultat i kontrollit të ushtruar në një lokal, një shtetas, në momentin e ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë është larguar me vrap, duke hedhur në tokë një çantë, brenda së cilës Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri tip pistoletë, me një krehër me 7 fishekë kalibër 9 mm.

Shërbimet e Policisë kanë vijuar ndjekjen dhe pas disa minutash kanë bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit A. A., 32 vjeç, banues në Shkodër.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 7 vjet burgim.

Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës, në koordinim me Departamentin e Policisë Kriminale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë vijon veprimet intensive për dokumentinin e plotë të vrasjes së shtetasit H. B., identifikimin, kapjen dhe arrestimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.

Më herët, nga DVP Tiranë, u identifikua dhe u prangos 22-vjeçari S. M. (nipi i shtetasit V. M.), i dyshuar si bashkëpunëtor në vrasje.

Më pas, falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes Policisë së Shtetit dhe Policisë malazeze, duke shkëmbyer në kohë reale informacione të grumbulluara nga DVP Tiranë, për vendndodhjen e  shtetasit V. M., i dyshuar si autor kryesor për vrasjen e shtetasit H. B., u bë e mundur kapja në Malin e Zi, nga Policia malazeze, e shtetasit V. M. dhe më pas arrestimi i tij në pikën e kalimit kufitar Hani i Hotit, nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *