Vendosni fjalën kyçe....

Basha takim me të rinjtë: Garancia e një ndryshimi që po vjen


Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi takim me të rinjtë të programit LEAD Albania me të cilët ndau ide për zhvillimin e vendit.

Basha thotë në një postim në rrjetet sociale se me të rinjtë që ka vendi e ardhmja është e siguruar.

Postimi i plotë:

Shqipëria ka një potencial të jashtëzakonshëm, që po bëhet gati të marrë në dorë fatet e vendit, dhe kjo është rinia e saj e jashtëzakonshme.

Me një mendësi të re, me dëshirën dhe ambicien për të punuar në Shqipëri e për Shqipërinë, të rinjtë dhe të rejat kanë sot aftësinë dhe përgatitjen e duhur, por ajo që u mungon dhe do të bëjmë gjithçka t’ua japim, është mundësia.

Sot u takova me të rinjtë e talentuar të programit LEAD Albania. Më prezantuan ide të jashtëzakonshme dhe dëshirën e madhe për ta ndryshuar këtë vend.

Diskutuam për platformën tonë, mora ide të vyera prej tyre, për ta pasuruar atë dhe më tej, për të adresuar më mirë zgjidhjet rreth problematikave që kanë të rinjtë sot. Garantimi i mundësive për arsim, pavarësisht statusit të tyre social, krijimit të mundësive për të hapur biznese të reja, mbështetje për idetë inovative, krijimin e mundësive për punësimin e tyre, ishin disa prej çështjeve që ndava me ta.

Përtej situatës së vështirë që po kalojmë, të një krize shumë-dimensionale politike, ekonomike e sociale, këta të rinj, me optimizmin e tyre, me idetë se si duhet të ecim përpara, se si do t’i shndërrojmë pasuritë e mëdha të këtij vendi në mundësi për një jetë më të mirë për çdo shqiptar, janë garancia e një ndryshimi që po vjen, ndryshim real që do të prekë çdo qytetar e veçanërisht të rinjtë që sot shohin si mundësi vetëm emigrimin.

Me ambicie të mëdha dhe përgatitje lidershipi, këta të rinj janë një potencial i madh dhe garanci për qeverisjen e ardhshme.

Programi LEAD Albania (Leadership Experience And Development) që zbatohet nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) që nga viti 2013, ka qenë dhe mbetet një mundësi e mirë për të rinjtë e talentuar dhe të mirëarsimuar, që me punën dhe angazhimin e tyre serioz, do ta bëjnë Shqipërinë një vend më të mirë.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *