Dy persona kanë rrahur mëngjesin e sotëm, pranë zyrës së tij avokatin Kujtim Cakrani në Vlorë.
Avokati ka bërë denoncim në Policinë e Vlorës ndërsa ka bërë të ditur lajmin edhe për mediat. Ai thotë se i njeh personat që e kanë dhunuar sot, të cilët e kanë kërcënuar edhe herë të tjera.
Ai ka deklaruar se atij i kanë bërë presion dhe e kanë dhunuar, për të hequr dorë në lidhje me një çështje për rrëmbimin e një personi.
“Unë sot në mëngjes kam ardhur në zyrë, dhe kam shkuar në një lokal përpara zyrës, dy persona me makinë të zezë, që i kam marrë dhe targën më kanë ardhur dhe më kanë kërcënuar. Më kanë kërkuar që të heq dorë nga një çështje që lidhet me rrëmbimin e një personi, dhe unë mbroj palën e familjes së viktimës.
Këta persona më kanë ardhur dhe në zyrë, i kam identifikuar personat, unë zyrën e kam survejuar me kamera dhe i kam të fotografuar të paktën njërin prej tyre që ka qenë më aktiv. Më kanë goditur në fytyrë, kam lajmëruar policinë, unë jam avokat dhe kësaj çështje do t’i shkoj deri në fund. Jam kërcënuar dhe herë të tjera nga këta persona, jam i detyruar që të kërkoj mbrojtje nga Policia e Shtetit.
Jam në të drejtën time që të kryej detyrën dhe nuk intimidohem aspak nga këta persona. Në këtë vend është bërë vazhdë që të dhunohen avokatët dhe gjyqtarët, do t’i shkoj deri në fund që këta persona të tërhiqen”, u shpreh Cakrani për Fax News.
Çështja për të cilën flet Cakrani, është ajo e zhdukjes së të riut Fatjon Myrtaj nga Kreshpani në Fier, ngjarje për të cilën implikohen dhe të afërm të tij.
Familja e Myrtajt dyshon se i riu është vrarë nga kushëriri, Perlat Myrtaj. Sipas nënës së tij, Fatjoni i kishte marrë pesë milionë lekë borxh nuses së nipit të Perlatit.