Kitara me të cilën Kurt Cobein i grupit Nirvana, luajti në një koncert të rrallë akustik, është shitur për një shifër rekord prej 6 milionë dollarësh.
Cobein, luajti me kitarën akustiko-elektrike 1959 Martin D 18E gjatë një performance legjendare, në MTV Unplugged, në 1993, vetëm pesë muaj para se të ndahej nga jeta. Me vlerën 6.01 milionë dollarë pas taksave, kitara është më shtrenjta e shitur ndonjëherë në një ankand – tha shtëpia e ankandeve Julien.
Ofertat në Los Angeles u hapën me 1 milionë dollarë dhe në përfundim, kitara i shkoi themeluesit të Rode Microphones, Peter Freedman.
Performanca akustike e Nirvanave për serinë MTV Unplugged më 18 nëntor 1993, konsiderohet tani një nga performancat më të mëdha live në histori.
Freedman, thotë se planifikon ta dërgojë kitarën në një turne botëror dhe me fitimet do të mbështesë artin. Ai e cilësoi blerjen e kitarës si një mundësi që vjen vetëm një herë në jetë.
Kitara u shit bashkë me kasën e saj, që Cobain e kishte dekoruar me një poster nga albumi ‘Feel the darknes’ i 1990.
Para saj, kitara më e shtrenjtë e shitur në histori ishte një fender stratocaster, e përdorur nga kitaristi i Pink Floyd, David Gilmor. Ajo u shit për afro 4 milionë dollarë në një ankand bamirësie në qershor 2019.