Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i ka bërë apel qeverisë shqiptare të zbatojë rezolutën për çështjen çame të miratuar në parlament.
Në një deklaratë për mediat në kuadër të javës çame, Idrizi tha se sot ka shumë arsye për të ngritur zërin.
“Jemi këtu sot në përkujtim të 76 vjetorit të genocidit programuar mbi popullsinë e Çamërisë. Genocidi që përfundoi me 20% të vrarë dhe pjesën tjetër të dëbuar. Kombet e dështuar janë ata që fshijnë të shkuarën me harresë. Harresa është një vrasje tjetër. Unë e di shumë mirë që qarqe brenda dhe jashtë Shqipërisë janë mbuluar ta mbulojnë me harresë.
Për të gjithë ata që mendojnë se shqiptarët e Çamërisë do të lodhen, un them që do të lodhemi të fundit. Ne fillojmë sot javën çame. Këtë vit e kemi me mesazhin mos e harro Çamërinë. Ky mesazh i drejtohet qeverisë greke që të mos bëhet bartëse e ekstremistëve grek. Dua t’i kujtoj Micotaqis, babain e tij që në vitin 1992 pranonte të ngriheshin komisionet mikse për pronat e çamëve dhe partizanëve çamë në varrezat në Greqi. Thirrja sot është ‘dëgjo zërin e babait’.”– tha Idrizi.
Ai gjithashtu foli me tone të larta për ata që sipas tij mbrojnë ekstremizmin grek në televizione.
“Idiotët e Athinës na shfaqen në ekranet shqiptare duke mbrojtur ekstremizmin grek. Ka ardhur koha të mbrojmë Shqipërinë. Ne kemi shumë arsye për të fol për shqipërinë dhe për identitetin shqiptar. Ne shqiptarët e Çamërisë do të lodhemi të fundit për këtë”, këtu Idrizi e ka fjalën për Vangjel Dulen, i cili në emisionin ‘Zonë e lirë’, ka mbajtur qëndrime negative ndaj vendit tonë lidhur me marrëveshjen e dështuar të shkëmbimit të territoreve mes Shqipërisë dhe Greqisë, për djegien e flamurit shqiptar nga minoritari grek në Sarandë.