Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhjet në Serbi – Fitorja e pritur e Vuçiçit dhe Parlamenti i mbetur pa opozitë


Nëse kishte një gjë të sigurt që përpara ditës së votimit ishte se Aleksandar Vuçiç do të dilte fitues nga këto zgjedhje.

BBC-ja serbe shkruan se asnjë parti politike që nga socialistët në 1990-ën, dhe asnjë udhëheqës që nga Slobodan Miloseviç, nuk kishte fituar kontroll mbi levat e pushtetit në Serbi, siç kanë sot Partia Progresive Serbe dhe Aleksandar Vuçiç.

Fitorja bindëse e së dielës do t’u japë atyre rreth 190 nga 250 vendet në Kuvendin e Serbisë.

“Sonte, ne fituam një besim të madh të njerëzve, më i larti ndonjëherë në Serbi”, tha Vuçiç në selinë e Partisë Progresive Serbe, duke shtuar se progresistët morën më shumë se dy milion vota, nga 3.3 milion njerëz që votuan.

Sipas rezultateve paraprake, vetëm partitë që kanë qenë në pushtet në mandatin e kaluar, do të hyjnë në parlamentin e ardhshëm të Serbisë.

Socialistët ishin pjesë e maxhorancës qeverisëse me Progresistët, ndërsa partia SPAS e Aleksandar Šapiqit ishte në pushtet në komunën e Beogradit, të Beogradit të Ri.

Opozita që mori pjesë në garë mbeti jashtë parlamentit, ashtu si ajo që bojkotoi zgjedhjet.

“Sot, Serbia pa mëdyshje i tha jo regjimit të Aleksandar Vuçiçit, anomalive dhe çmendurive, ndaj të cilave ne jemi ekspozuar në të gjitha vitet e kaluara“, tha drejtuesi i Aleancës për Serbinë, Dragan Đilas, i cili pretendon se bojkoti përmbushi kuptimin e tij, për shkak të zvogëlimit të pjesëmarrjes.

Përfaqësuesit e partive minoritare do të bashkohen gjithashtu parlament: Aleanca e hungarezëve të Vojvodinës, partitë e Muamer Zukorlić dhe Sulejman Ugljaninnit, si dhe lista e shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Këto zgjedhje do duhej të kanalizonin konflikte dhe kriza në shoqëri, por kjo nuk ndodhi.

Këto zgjedhje sjellin një krizë politike sepse opozita ka mbetur me një luftë jashtë parlamentare, por unë mendoj se në këtë moment qytetarët nuk kanë forcën të dalin në rrugë“, tha shkencëtari politik, Vuk Velebit.

Shqiptarët e Preshevës

Shqiptarët do të përfaqësohen me 4 deputetë në parlamentin serb. Të dhënat paraprake tregojnë se Alternativa Demokratike Shqiptare në luginën e Preshevës, ka fituar 0.9 për qind të votave.

Për herë të parë, pesë parti shqiptare nga komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, morën pjesë në zgjedhjet e përgjithshme serbe në një listë zgjedhore.

Në një reagim, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përshëndeti fitoren e deputetëve shqiptarë. “Ata do të kenë më shumë deputetë që do ta ngrenë zërin për të drejtat e shqiptarëve atje. Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, tha ai.

Parlamenti pa opozitë

Edhe pragu i zvogëluar i zgjedhjeve nga 5 në 3 % nuk i ndihmoi të paktën disa nga partitë e opozitës që të gjendeshin në karriget parlamentare.

Ky prag ndihmoi vetëm Aleksandar Šapić, i cili gjithashtu vjen në parlament nga pozita e qeverisë – në komunën e Beogradit, të Beogradit të Ri.

Pothuajse të gjithë qytetarët që nuk mbështesin politikën e SNS-së dhe SPS-së mbeten pa përfaqësues në debatin parlamentar.

“Këtu nuk ka humbës dhe fitues të mëdhenj – opozita që shkoi në votime do të duhet të ndryshojë qasjen e saj dhe të rishqyrtojë vendimet e saj, të marrë përgjegjësinë dhe udhëheqësit të tërhiqen. Opozita që bojkotoi zgjedhjet duhet të mendojë për ndërtimin afatgjatë të infrastrukturës për të ardhmen” – thotë Velebit, i cili pret që kjo mbledhje e parlamentit të jetë ndoshta më paqësorja deri më tani, pa diskutime serioze dhe pa konflikte./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *