Sot gjykata ka dhënë masën e sigurisë për Viktor Markun, personin e arrestuar për vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa në Tiranë.
Trupi gjykues, pas shqyrtimit të provave vendosi të lërë në fuqi masën e “arrestit me burg” ndaj tij.
Kujtojmë se Viktor Marku, u arrestua në Mal të Zi lidhur me vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa, ngjarje e ndodhur më 11 qershor në zonën e Komunës së Parisit.
Sipas sistemit TIMS rezulton që Marku të ketë qenë jashtë vendit në kohën kur është kryer vrasja, por një biznesmen nga Shkodra i ka future në dyshime organet e hetimit, pasi ka thënë se e ka parë Viktor MArkun gjatë këtyre muajve në Shkodër, pasi mori me qira në biznesin e tij një makinë tip ‘Smart’. Marku thuhet se ia ka lënë makinën nipit të tij, Sebastjan Mali, i cili gjithashtu është arrestuar si bashkëpunëtor në vrasje.
Pas analizimit të pamjeve në kamerat e sigurisë pranë zonës, policia dyshon se në një moment Viktor Marku shfaqet në kamerë duke zbritur nga makina “Smart” për të hipur në një automjet tip ‘Mercedez Benz’ i vjedhur në Shkodër, që u përdor në atentat. Në automjet është dhe një person i dytë.
Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006.