Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi, i është përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me atë që do të ndodhë me Gjykatën Kushtetuese, pas opinionit të Komisionit të Venecias.
Blushi shkruan në rrjetet sociale se në fillim të javës, Meta do të ftojë kryeparlamentarin Gramoz Ruçi në një takim. Kjo për të diskutuar dhe koordinuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet përgjegjëse dhe me partnerët ndërkombëtarë për zhbollikimin e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese.
KOMENTI I BLUSHIT
Lidhur me pyetjen se çdo të ndodhë me Gjykatën Kushtetuese pas raportit përfundimtar të Komisionit të Venecias dua të konfirmoj vendosmërinë e Presidentit të Republikës Sh.T.Z Ilir Meta për të zbatuar me përkushtim dhe transparencë të plotë rekomandimet e Komisionit të Venecias për zhbllokimin e situatës përmes bashkëpunimit të institucioneve sipas parimit të luajalitetit kushtetues.
Pikërisht ashtu siç kërkonte Presidenti Meta, në letrën e Tij zyrtare të 5 nëntorit për Kuvendin, KED dhe Avokatin e Popullit:
‘…Presidenti mban këtë qëndrim nisur nga parimi kushtetues i luajalitetit (bashkëpunimit) midis organeve shtetërore dhe nga gjetja e mundësive që Gjykata Kushtetuese të plotësohet sa më parë”.
“Pa një bashkëpunim midis organeve të përfshira në procesin e emërimit të anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese (KED-President-KED-Kuvend), ky proces nuk mund të përmbyllet në përputhje me nenin 179, pikat 2 dhe 12 të Kushtetutës si dhe parimeve të hartuara nga jurisprudenca e vetë Gjykatës Kushtetuese”.
“…Bashkëpunimin maksimal me secilin prej institucioneve në mënyrë që Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë të jetë sa më shpejt funksionale dhe të gjitha vendet vakant në këtë Gjykatë të plotësohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me parashikimet e Kushtetutës dhe kërkesat e ligjit”.
Ndaj në fillim të javës së ardhshme, Presidenti Meta do të ftojë për takim zyrtar Kryetarin e Kuvendit për të diskutuar dhe koordinuar bashkëpunimin me të gjitha institucionet përgjegjëse, por edhe me partnerët ndërkombëtarë, aq më tepër që funksionaliteti i Gjykatës Kushtetuese është kusht kryesor edhe për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian.
Presidenti Meta vlerëson rëndësinë që të gjitha institucionet përgjegjëse që përmenden në Raportin Përfundimtar të Komisionit të Venecias, të përqendrohen dhe ta lexojnë në mënyrë të thelluar, pasi ekspertët kanë bërë një punë shumë të kujdesshme për të na nxjerrë nga ky qorrsokak ku nuk na futi Kushtetuta por mungesa e respektit për të.
Ndaj kjo javë duhet të investohet nga të gjithë për të kuptuar më mirë rekomandimet e Komisionit të Venecias, në mënyrë që pa humbur kohë, të bashkëpunohet për bërjen sa më parë të vendit me Gjykatë Kushtetuese, pasi ky është institucioni më i rëndësishëm i shtetit në gjykimin e Presidentit Meta.
Nëse iniciativa e Presidentit Meta në nëntor 2017 për një koordinim të përbashkët midis Presidentit, Kuvendit dhe EURALIUS për hedhjen e shortit dhe funksionimin e KED në mënyrë të pakontestueshme nga askush nuk do të ishte minuar, Shqipëria nuk do të kishte mbetur asnjë sekondë pa Gjykatë Kushtetuese funksionale, opozita nuk do të kishte asnjë justifikim për t’u larguar nga Kuvendi, pushteti vendor do ishte gjithëpërshirës e legjitim, si dhe negociatat do të ishin hapur prej kohësh.
Por, tani është me e rëndësishme të përqëndrohemi te permbushja e rekomandimeve të Komisionit të Venecias për të ecur përpara përmes bashkëpunimit, transparencës dhe respektimit të Kushtetutës.