Një tjetër pacient i cili ishte i prekur nga Covid-19 ka ndërruar jetë ditën e sotme në Spitalin Infektiv. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë përmes një njoftimi për mediat.
“Një pacient 90 vjeçar nga Tirana ka ndërruar jetë në spitalin infektiv në QSUT, i prekur nga COVID19, me disa sëmundje bashkëshoqëruese silikoza, hipertension.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe i rikujton qytetarëve rëndësinë që ka respektimi i masave mbrojtëse për të kufizuar përhapjen e COVID19.
Nga fillimi i epidemisë, 48 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID19, pavarësisht përpjekjeve të stafeve mjekësore dhe terapive të mjekimit”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Kujtojmë se më herët u konfirmua një tjetër humbje jete. Bëhet fjalë për një grua të moshës 34-vjeçare nga Librazhdi. Ajo është më e reja në moshë që ka humbur jetën si pasojë e pandemisë.