Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, ka propozuar përmes një drafti një projektvendimi për përdorimin e gjuhës në zonat ku banojnë pakica kombëtare.
Sipas këtij propozimi, në zonat ku minoritetet përbëjnë 20% të popullsisë së tyre, do t’u lejohet të përdorin gjuhën e vet.
Kjo nënkupton komunikimin me organet e pushtetit vendos, si dhe vendosjen në gjuhën e pakicave edhe të tabelave të rrugëve.
“Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, në të cilën personat që i përkasin një pakice kombëtare banojnë tradicionalisht ose përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë brenda territorit të saj, krijon kushtet për përdorimin e gjuhës së pakicës në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personave që i përkasin pakicës, bazuar në kërkesën e tyre”, citohet në nenin 1 të projektvendimit.
Kujtojmë se një vit më parë, plasi një debat public lidhur me tabelat në gjuhën greke të rrugve në bashkinë e Finiqit. Vendosja e tabelave në gjuhën greke u konsiderua e paligjshme dhe ato u ndryshuan, por projektvendimi i propozuar nga Lleshaj i bën ato të ligjshme.
NENET KRYESORE TË PROJEKTVENDIMIT
Neni 1
Njësia bazë e vetëqeverisjes vendore, në të cilën personat që i përkasin një pakice kombëtare banojnë tradicionalisht ose përbëjnë mbi 20 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë brenda territorit të saj, krijon kushtet për përdorimin e gjuhës së pakicës në marrëdhëniet ndërmjet tyre dhe personave që i përkasin pakicës, bazuar në kërkesën e tyre.
Neni 2
Kërkesa bëhet me shkrim nga jo më pak se një për qind e personave që i përkasin një pakice kombëtare dhe i drejtohet njësisë bazë të vetëqeverisjes vendore, në territorin e të cilës banojnë këta persona, ku përcaktohet qartë qëllimi i saj dhe caktohet përfaqësuesi apo përfaqësuesit e autorizuar për të komunikuar me organet bazë të njësive të vetëqeverisjes vendore, deri në marrjen e vendimit nga këshilli bashkiak.
Neni 4
Në bazë të kërkesës së paraqitur, kryetari i bashkisë kërkon thirrjen e mbledhjes së këshillit bashkiak dhe merr masa për përgatitjen e materialeve për shqyrtim në mbledhje, bazuar mbi këtë kërkesë. Nëse vlerësohet e nevojshme për shqyrtimin e kërkesës, mund të zhvillohet një seancë dëgjimore me kërkuesit apo personin e autorizuar prej tyre. Kërkuesit njoftohen për mbledhjen e këshillit bashkiak në përputhje me parashikimet e nenit 17, të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar.
Neni 8
Në rastet kur ka një kërkesë të mjaftueshme nga persona që i përkasin një pakice kombëtare, pranë organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore, me një popullsi ku mbi 20 për qind e banorëve i përkasin pakicës, këshilli bashkiak, në përputhje me shkronjën “ll”, të nenit 54, të ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, i ndryshuar, vendos për emërtimin e njësisë administrative, rrugëve, shesheve, territoreve, krahas gjuhës shqipe edhe në gjuhën e pakicës kombëtare. Në këtë rast, kërkesa paraqitet dhe shqyrtohet nga organet përgjegjëse të njësive të vetëqeverisjes vendore, sipas parashikimit të bërë në pikat 2-5, të këtij vendimi.