Sot nuk do të ketë një vendim për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri.
Gjykata e Posaçme e Apelit ka shtyrë seancën dhe vendimi do jepet ditën e premte më 26 qershor.
Sapo doli nga institucioni, gazetarët e rrethuan por Tahiri ka vendosur të mos flasë. I buzëqeshur, ai tha vetëm: “Edhe ju s’më latë rehat”.
Seanca u shty për shkak se anëtari më i ri i trupës gjykuese, Dhimitër Lara ka kërkuar më shumë kohë për t’u njohur me dosjen.
Kujtojmë se ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri u vu nën akuzë pas arrestimit të grupit “Habilaj”.
Ai pretendonte se ishte i pafajshëm, e në shtator të vitit të kaluar, ish-Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi ta dënonte me 12 vite burg.
Por gjykata vendosi vetëm ta dënonte për “shpërdorim detyre”, me 3 vite shërbim prove. Ndërsa e liroi nga akuzat e tjera.
Prokuroria e apeloi vendimin e po ashtu edhe ish-ministri Tahiri, i cili kërkon pafajësinë e plotë edhe për akuzat për “shpërdorim detyre”.