Kreshnik Tusha ishte arrestuar për vrasjen e dy biznesmenëve në datën 30 maj në një hotel në Laç, pasi atë natë ishte paraqitur i plagosur në spital.
Tusha u mor si i pandehur për këtë ngjarje, por ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë. Njëherë mediat patën publikuar se Tusha ka thënë se ai është vetëplagosur në shtëpi, e më pas se ishte plagosur në derën e shtëpisë nga persona të panjohur.
Por pas arrestimit të Eduart Lamajt ditën e djeshme, duket se Tusha po lirohet nga akuzat.
Policia ka arrestuar dje Eduart Lamajn si autorin kryesor të dyshuar për ekzekutimin e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit. Ai kishte shkuar në një spital privat për të kërkuar ndihmë mjekësore 20 ditë pas ngjarjes, pasi një plagë me armë i ishte infektuar.
E me arrestimin e tij duket se vërtetohen pretendimet e Tushës. Shenjat e gjakut, të personit të plagosur gjatë përplasjes me armë që janë gjetur në skenë, sipas Prokurorisë i përkasin Lamajt.
Siç shkruan Gazeta Shqiptare, dyshohet se Tusha ka dalë në hyrjen e shtëpisë së tij në momentin që ka dëgjuar krismat e armëve për të parë se çfarë ka ndodhur, pasi e kishte banesën shumë pranë hoitelit ku u ekzekutuan biznesmenët. Por në këtë moment, autorët e atentatit kanë menduar se një person tjetër u kishte dalë në pritë dhe kanë qëlluar në drejtim të tij duke e lënë të plagosur.