Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti, është duke qëndruar për vizitë zyrtarë sot në Bruksel. Pas një takimi me kryesuesin e Komitetit për Punë të Jashtme në Parlamentin Europian, David McAllister, Hoti foli për takimin e 27 qershorit Kosovë – Serbi në Washington.
Ai tha se i kishte bërë një kërkesë ambasadorit Richard Grenell që të shtyjë takimin.
“Dialogu nuk ka alternativë. Ne tani kemi autoritetin e nevojshëm institucional si shtet për të tejkaluar çdo situatë me të cilën përballemi. Unë në konsultim me ambasadorin Grenell kam kërkuar që ta shtyjmë këtë takim për një ditë tjetër për shkak të zhvillimeve që kanë ndodhur. Çështjet që lidhen me drejtësinë, siç ishte vendimi i djeshëm, unë besoj që nuk duhet të diskutohen por të respektohen. Unë besoj së tanimë si Kosovë kemi maturi insitucionale për t’i tejkaluar këto çështje”, tha Hoti.
Kujtojmë se mëngjesin e sotëm, Hoti njoftoi se prej Brukselit do të kthehet në Prishtinë dhe nuk do të udhëtojë pa presidentin Hashim Thaçin në Washington. Thaçi e anuloi vizitën e tij në Shtëpinë e Bardhë dje, pas lajmit se Prokuroria e Hagës ka dorëzuar aktakuzë për krime lufte ndaj tij.