Vendosni fjalën kyçe....

Policia e Korçës: Shkatërruam 4 grupe kriminale, 57 persona në pranga


Policia e Korçës thotë se ka shkatërruar katër grupe kriminale në fushën e narkotikëve. Gjatë këtij operacioni, janë vënë në pranga 57 persona dhe shpallur në kërkim 8 të tjerë.

Uniformat blu kanë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.

Mes të arrestuarve është dhe një 40-vjeçar nga Devolli, i cili konsiderohet si pjesë e njërit prej 4 grupeve të strukturuara kriminale.

Përpos trafikut të lëndëve narkotike, ai akuzohet se transportonte emigrantë të paligjshëm, duke iu premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Detajet e policisë:

Vijon operacioni policor i koduar “LIMIT”, si rezultat i të cilit u shkatërruan 4 grupe kriminale në fushën e narkotikëve.

Në kuadër të operacionit u arrestuan 57 persona dhe u shpallën në kërkim 8 të tjerë.

Gjatë operacionit janë sekuestruar kanabis, kokainë, laboratorë për kultivimin e bimëve narkotike, fara kanabisi, fishekë luftarakë, si dhe janë asgjësuar parcela me bimë narkotike të kultivuara.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me DVP Korçë, është kapur një prej personave të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni.

Vihet në pranga 40-vjeçari K. H., pjesë e njërit prej 4 grupeve të strukturuara kriminale, i cili për qëllime përfitimi të grupit në të cilin bënte pjesë, transportonte emigrantë të paligjshëm, duke iu premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, si dhe merrej edhe me trafikimin e lëndëve narkotike.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Devoll, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, si edhe me Forcat e Posaçme Operacionale pranë DVP Korçë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale dhe kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë të shpallur në kërkim, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore dhe falë koordinimit të veprimeve, bënë të mundur kapjen e shtetasit në kërkim K. H., 40 vjeç, banues në fshatin Kurilë, Devoll.

Ndalimi i tij u bë pasi Gjykata për Krimet e Rënda në Tiranë, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Vijon puna për kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *