Vendosni fjalën kyçe....

“Të paligjshme”, policia procedon 17 persona pas dy tubimeve të djeshme


17 persona janë proceduar penalisht pas protestave të Shoqatave të Transportit Publik dhe asaj kundër ndërtimit të HEC-eve në lumenj. Policia thotë se dy tubimet e djeshme ishin të paligjshme për shkak të masave të vendosura nga qeveria për frenimin e përhapjes së pandemisë së COVID-19.

Përmes një njoftimi, policia u bën apel qytetarëve që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike.

Edhe pse Ministria e Shëndetësisë lejoi nisjen e shërbimit të transportit urban, punonjësit nuk pranojnë të nisin nga puna pa marrë një ndihmë financiare nga shteti. Ata shprehen se përgjatë gjithë muajve të pandemisë që kanë mbetur pa punë, kanë marrë vetëm 40 mijë lekë. Ndërkohë që kategori të tjera të punonjësve i kanë marrë aq vetëm për 1 muaj.

Ata thonë se aq para u kanë shkuar vetëm për ujë e drita, dhe s’mjaftojnë as për t’u ushqyer. E Shoqata e Transportit Publik tha se ka dhe probleme të tjera për shkak të rregullave të reja për transportin urban, që mund t’i çojnë drejt falimentimit.

Ndërkohë situata ishte më e tensionuar pasdite, me protestat kundër ndërtimit të HEC-eve në lumenj.

Banorët e Zall Gjoçajt në Mat dhe një grup aktivistësh të shoqërisë civile kanë protestuar pasditen e djeshme kundër ndërtimit të HEC-eve në këtë zonë. Por policia ka ndërhyrë dhe ka shoqëruar dhjetëra protestues për organizim tubimi të paligjshëm.

Shoqërimet e policisë ishin me forcë, pasi protestuesit nuk pranonin të shpërndaheshin.

NJOFTIMI I POLICISË

Policia e Tiranës shpërndau dy tubime të paligjshme të zhvilluara ditën e djeshme në rrugën “Abdi Toptani dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe procedoi 17 persona të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Gjatë zhvillimit të tubimeve, në të dy rastet, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimet, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi nuk kishin marrë leje për zhvillimin e tyre.

Gjithashtu, gjatë thirrjeve Policia u ka kërkuar protestuesve që të mbajnë distancë sociale nga punonjësit e Policisë dhe nga njëri-tjetri, me qëllim parandalimin e infektimit me COVID-19.

Më pas, Policia shpërndau protestuesit, duke bërë disa shoqërime dhe ka filluar procedimin penal për 4 persona, si organizatorë të tubimit tek Ministria e Infrastrukturës dhe për 13 të tjerë, si organizatorë të tubimit tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, pasi kanë organizuar dhe protestuar në mënyrë të paligjshme, pa lejen e organeve kompetente.

Materialet për këto ngjarje do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të 17 personave të identifikuar si organizatorë, për veprat penale “Organizim dhe pjesëmarrje në tubime të paligjshme”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.

Policia e Tiranës apelon për qytetarët që të respektojnë distancimin social dhe të përdorin mjetet mbrojtëse në vendet publike, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19, ndërsa problematikën apo shqetësimin që kanë ta adresojnë pranë institucioneve dhe organeve kompetente.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *