Vendosni fjalën kyçe....

Milani rikuperon para sfidës me Romën, Ibrahimoviç dhe Kjaerin


Milani synon fort një vend në Europa League për sezonin e ardhshëm dhe e rinisi mirë me një fitore bindëse 1-4 në transfertën ndaj Lecces, ndërsa të dielën pasdite do të luajë një nga ndeshjet më të rëndësishme.

Në “San Siro” do të vijë Roma, një kundërshtar direkt i kuqezinjve në garën për një vend në Europa League, për më tepër që verdhekuqtë kanë plot 9 pikë më tepër se Milani në renditje dhe shpresojnë ende edhe për një vend në zonën Champions, ndonëse do të jetë e vështirë.

Trajneri i Milanit, Stefano Pioli mori lajme mjaft të mira nga infermieria sot, pasi mbrojtësi Simon Kjaer, i cili doli i dëmtuar në tranfertën me Leccen, është rikuperuar plotësisht dhe do të jetë gati të marrë vendin e tij në formacion, në krah të kapitenit Romagnoli.

Por lajmi më i bukur vjen nga gjiganti suedez Zlatan Ibrahimovic, i cili sot është stërvitur plotësisht me skuadrën dhe tani Pioli do të ketë vetë në dorë, nëse do ta aktivizojë nga minuta e parë, apo do ta mbajë në stol, për ta përdorur në lojë e sipër.

Kjaer dhe Ibra janë dy prej futbollistëve më me eksperiencë te Milani dhe kontributi i tyre pritet të jetë vërtetë i madh në një sfidë si ajo ndaj Romës, ku kuqezinjtë do të provojnë një tjetër fitore, pasi gara për një vend në Europa League është vërtetë e ashpër.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *