Vendosni fjalën kyçe....

Problemi me diplomat, Ministria e Arsimit firmos urdhrin për lëshimin e tyre


Pas problemeve të studentëve të Fakultetit Ekonomik me diplomat, Ministria e Arsimit ka lëshuar një urdhër për t’i lëshuar menjëherë ato për studentët që i kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA-ja ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi. Kështu sipas saj, nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT.

Dy ditë më parë, një grup studentësh sëbashku me përfaqësuesin e tyre ligjor, u mblodhën përpara Fakultetit Ekonomik dhe i dorëzuan një peticion me 150 firma Rektoratit dhe FE-së për tërheqjen e diplomave. Kjo për shkak se kishin mbetur pa i marrë diplomat, edhe pse i kishin përfunduar studimet e masterit në 2019-ën.

NJOFTIMI I MINISTRISË SË ARSIMIT

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), pasi u njoh me problematikën e mos-lëshimit të diplomave të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë (UT), përmes një shkrese të ministres ka kërkuar që UT të lëshojë menjëherë diplomat e studentëve.

Studentët kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT. MASR nënvizon se e drejta e studentëve prevalon mbi çdo mosmarrëveshje të brendshme të UT që ka shkaktuar këtë vonesë të papranueshme në diplomimin e studentëve.

Gjithashtu, bëhet me dije se nga ana e Rektorit të Universitetit të Tiranës janë nënshkruar disa nga diplomat, që numrat e matrikullimit të studentëve janë lëshuar me të njëjtën procedurë sikurse ajo e kundërshtuar nga Rektori i UT, i cili është një veprim selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi.

Përfundimisht, MASR kërkon pajisjen e studentëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike me diplomat përkatëse, menjëherë!


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *