Pas vendimit të Apelit për të rikthyer për rigjykim çështjen e tij, ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, tha për mediat se nuk e priste këtë vendim dhe se i vinte turp për detyrat që ka mbajtur.
“Jo nuk e prisja, mendoja që pas thuajse 3 vitesh historia do merrte një drejtim cilido qoftë. Rikthimi në pikën zero është padrejtësi në vetvete. Mua realisht nëse ka dhe një njeri të dytë në Shqipëri që zvarritet kështu gjykatave më vjen ndot e turp për detyrat që kam mbajtur si deputet e gjithçka.
Nëse ka një shqiptar të dytë, e padiskutim që ka, më vjen ndot e turp. Totalisht e pakuptimtë për mua që të vazhdojë kjo histori prej 3 vitesh.
E kam kuptuar që cdo fjalë e imja më shumë i jep kuptim nga ju se sa i jap unë kuptim. Nuk kam asnjë emocion tani përvec domosdoshmërisë sime për të shkuar para.
Të gjitha janë të hapura, një gjë e sigurt, beteja nis nga e para. Gjykata e Lartë nuk ekziston. Mbetet për t’u parë se nuk e kam vendimin në dorë.”- është shprehur Tahiri.
Ditën e sotme Apeli rrëzoi vendimin e shkallës së parë që dënoi Tahirin me 3 vite shërbim dhe ish-ministri do të nisë nga fillimi betejën me drejtësinë.