Të tjera detaje zbulohen lidhur me vrasjen e Hekuran Billës. Organet e hetimit dyshojnë se 26-vjeçarja e cila u arrestua sot, Adjola Lakra ishte e dashura e viktimës. Ata kishin një lidhje 2-vjeçare.
Besohet se ka qenë pikërisht Adjola Lakra, që është përdorur si karrem nga ana e autorëve për ta nxjerrë në pritë Hekuran Billën, mbrëmjen e 11 qershorit, shkruan Shqiptarja.com.
Nuk dihet ende nëse kjo lidhje është stisur që në fillim nga Lakra, me qëllimin për ta vënë Billën në kurth. Por për momentin besohet se vajza është përdorur nga Viktor Marku, që ajo të fitonte dashurinë e Billës, për të mësuar të gjitha lëvizjet e tij.
Deri më tani, pas arrestimit të Adjola Lakrës janë 3 persona të arrestuar për vrasjen e Billës. Viktor Marku qëndron pas hekurave si i dyshuari kryesor, ndërsa në “arrest me burg” është lënë gjithashtu edhe nipi i tij Sebastjan Mali.
Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, i cili u vra në vitin 2006 në Angli nga Billa.