Përfaqësuesi i përhershëm i Libisë në OKB, Taher el-Sonni, bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve për mercenarët rusë dhe sudanezë në vend.
Të premten, mercenarët nga Wagner Group dhe milicia sudaneze Janjaweed u futën në fushën e naftës El-Sharara, njoftoi Korporata Kombëtare e Naftës (NOC) e Libisë.
“Meqenëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së nuk arriti të sanksionojë individë/mercenarë si Wagner/Haftar dhe të tjerët, të cilët shkelin të gjitha rezolutat, SHBA-ja dhe BE-ja duhet të ndërmarrin veprime të tilla dhe të ngrijnë pasuritë si për çdo organizatë terroriste dhe t’i mbajë përgjegjës ata që i financojnë. Ne kemi qenë dëshmitarë të veprimeve të shpejta më parë mbi të tjerë që kanë përbërë më pak kërcënim”, shkroi el-Sonni në Twitter.
Fusha e naftës El-Sharara prodhon më shumë se 300.000 fuçi naftë të papërpunuar në ditë, që përbën afërsisht një të tretën e prodhimit të vendit të pasur me naftë.
Fusha e naftës rifilloi prodhimin më 7 qershor pas një ndërprerjeje disamujore, e cila shkaktoi miliarda dollarë humbje.
Të premten, Ambasada e SHBA-së në Libi dënoi pushtimin e fushës së naftës nga Wagner dhe mercenarë të tjerë të huaj, si pjesë e “një fushate të paparë të mbështetur nga aktorë të huaj për të minuar sektorin e energjisë në Libi”.
Libia ka rezervat më të mëdha të naftës së papërpunuar në Afrikë, por nëntë vjet të konfliktit dhe dhuna që nga rrëzimi i sundimtarit Muammar Gaddafi në vitin 2011 kanë penguar prodhimin dhe eksportet.
Qeveria libiane, e cila gëzon njohje nga OKB-ja, është sulmuar nga milicitë e komandatit të forcave jolegjitime të vendit Khalifa Haftar që nga prilli i vitit 2019, dhe më shumë se 1.000 njerëz janë vrarë si pasojë e dhunës.
Në mars, qeveria nisi operacionin “Stuhia e Paqes” për të kundërshtuar sulmet mbi kryeqytetin Tripoli dhe kohët e fundit rifitoi disa vende strategjike, përfshirë bazën ajrore Al-Watiya dhe qytetin Tarhuna, që vlerësohen si një goditje e rëndësishme për forcat e Haftarit.