Presidenti i vendit Ilir Meta, ditën e djeshme ka qenë i ftuar në një drekë për kalimin e Presidencës së grupit të shteteve të Vishegradit nga Çekia te Polonia.
Meta shpreh besim për suksesin e kryesisë së re polake në realizimin e objektivave në një periudhë sfiduese për të gjithë.
“Kënaqësi të isha dje i ftuar në një drekë pune me rastin e kalimit të Presidencës së Grupit V-4 nga Çekia te Polonia. Përgëzova Ambasadorin e Çekisë për kryesimin me sukses të Grupit përgjatë një viti të vështirë.
Shpreha besimin për suksesin e kryesisë së re polake në realizimin e objektivave mjaft ambicioze në një periudhe me sfida të mëdha për mbarë Europën. Frymëzuese motoja e Presidencës polake: “back on track”. Mjaft aktuale për të gjithë.
Falenderova vendet e Grupit V-4 për mbështetjen ndaj Shqipërisë🇦🇱 në procesin e integrimit europian. Bashkëpunimi i tyre është shembull i shkëlqyer edhe për rajonin tonë.”– shkruan Meta.
Grupi i Vishegradit përbëhet nga: Çekia, Sllovakia, Polonia dhe Hungaria.