Kreu i qeverisë Edi Rama, në një intervistë për televizionin lokal “6+1 Vlora Tv” ka deklaruar se ka pasur një debat me kryebashkiakun e qytetit bregdetar, Dritan Leli.
Rama tha se debati ka ardhur për një shqetësim të ngritur nga disa subjekte në Zvërnec që kishin ndërtuar struktura të lehta. Rama shtoi se nga debati janë sheshuar shqetësimet, duke kërkuar më shumë punë nga kryetari i bashkisë.
“Ne kemi pasur një takim, kjo është e vërtetë, është e vërtetë që është bërë dhe në Zvërnec dhe ju e dini që shumë subjekte kanë pasur shqetësime në atë zonë pasi kanë investuar në struktura të lehta për akomodim. Debati ka ardhur si rezultat i një keqkuptimi dhe është krijuar ideja se ato struktura do të prisheshin dhe nga munguar një komunikim nga bashkia e Vlorës.
Kemi pasur një debat dhe kemi vënë pikat mbi i , për gjithçka që mund të kemi për të përmirësuar. Unë nuk jam i kënaqur me asnjë dhe me as për punën time dhe nga Dritani në këtë rast që duhet të punojë më shumë. Unë kam respekt për të, për shumë çka, por duhet të punojë akoma më shumë“- është shprehur Rama.
I pyetur se po aludohet se nga sondazhet në Vlorë, mazhoranca ka pësuar rënie, kreu i qeverisë u shpreh se duhet punuar më shumë dhe puna të përmbysë sondazhet.
“Nuk është çështja individi, e Dritani, por e një bashkie të tërë që duhet të përmirësojë të gjitha askpektet e performacës së saj dhe duhet të ndërtojë një marrëdhënie më të afërt dhe më komunikuese me qytetarët që kanë shumë halle. Populli ka një shprehje që thotë ‘nëse nuk ma zgjidh dot hallin të paktën ma qaj”- shtoi kryeministri.
Rama tha se Leli duhet të punojë më shumë për Bashkinë e Vlorës pasi mbështetjen e komunitetit nuk duhet ta marrë sikur e të fituar në çdo kohë.
“Një skuadër që synon të fitojë është e dënuar që të jetë më shumë kritike dhe të kërkojë më shumë nga vetja. Kjo vlen për mua, për të gjithë dhe për Dritanin dhe ai duhet të bëjë më shumë. Dritani e ka mbështjen ton, ka potencial, pasi dhe mbështetjen e komunitetin e ka, por kjo nuk duhet marrë si një mbështetje që është aty dhe nuk duhet punuar me komunitetin”- u shpreh kreu i qeverisë.
“Ne nuk duhet ta marrim Vlorën që çfarë do të bëjmë e marrin sërish. Nuk është çështja të fitojmë, por sa thellë fitojmë. Ndërsa nga pikëpamja morale është se sa ua kthejmë ne njerëzve këtë mbështetje dhe nga qëndrimi mbi kokë të halleve dhe të qëndrojmë sa më afër njerëzve”- tha Rama.