Vendosni fjalën kyçe....

Jorida Tabaku: Duhet një politikë e re fiskale, boll më me 18 taksat


Në takimin e Dhomës Amerikane të Tregtisë, ish-deputetja Jorida Tabaku foli për planin e PD-së për të rigjallëruar klimën e biznesit në Shqipëri.

Pasi shprehu shqetësimet për taksat, korrupsionin dhe sistemin fiskal, Tabaku tha se një politikë e re fiskale është e domosdoshme.

Ajo thotë se taksa e sheshtë do ndihmojë në luftën kundër informalitetit dhe se kështu kontabilistët nuk do vrasin mendjen si t’i gjejnë anën taksave, por si të rrisin eficencën e kompanive ku punojnë.

“Këto të vërteta të dhimbshme janë shtysa për rikonceptim themelor për të nesërmen:  politikë e re fiskale dhe rishikim tërësor i mënyrës së si do të funksionojë marëdhënia me biznesin.

Një sistem eficent fiskal do të jetë motorri i ekonomisë sonë dhe karburanti i buxhetit tonë me normën më të ulët të taksës në rajon prej 9%.

Taksa e sheshtë do të ndihmojë në luftën kundër informalitetit dhe korrupsioni dhe do ta bëjë këtë sistem më të thjeshtë dhe transparent. Kështu kontabilistët nuk do vrasin mendjen si t’i gjejnë anën taksave por si të rrisin eficencën e kompanive ku punojnë.

Jo vetëm kaq, por ajo që ofrojmë është një shkurtim i llojeve të taksave nën parimet e transparencës, thjeshtësisë, eficencës ekonomike, fleksibilitetit, përgjegjësisë politike dhe paanësisë.

Boll më me 18 taksa dhe mbi qindra licensa që ju ngarkojnë me burokraci.

Boll ndryshimeve të pakuptimta e tendencioze të legjislacionit, siç ka ndodhur në këto 7 vite. Ku ligjet fiskale dhe sistemi tatimor i janë kryer 150 ndryshime.”– tha Tabaku.

Ish-deputetja demokrate tha se është e shqetësuar nga mungesa e investimeve të huaja direkte në këto 7 vite. Ajo zotohet se Reformat që PD do të zbatojë, do të çlirojnë tregun nga oligarkia dhe do rrisin punësimin.

“Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar nga fakti që Shqipërisë në këto 7 vite i kanë munguar investime të huaja direkte në fusha strategjike për ekonominë e së ardhmes.

E kam ndjekur me tejet trishtim se si tregu jonë po monopolizohet apo oligarkizohet ndërkohë që biznese të rëndësishme të huaja largohen nga vendi duke mos iu ofruar mundësi. Humbja ka qenë e dyanshme. Ne jemi të qartë që për të krijuar atmosferën e nevojshme për biznes dhe për t’u rikthyer kompetitivë në rajon do të duhet të angazhohemi edhe në mbrojtjen e të drejtave të pronësisë, në eliminimin e licencave dhe lejeve të padobishme dhe përsëritëse që janë kthyer barrë për biznesin.

Duhet të largojmë nga rregullat institucionale dhe praktika e përditshme vizitat e vazhdueshme e bezdisëse të dhjetra inspektoriateve.

Reformat që ne do të zbatojmë, do të mundësojnë konkurueshmërinë, do të zhbëjnë monopolet e dëmshme, do çlirojnë tregun nga oligarkia e padobishme për ekonominë dhe do të rrisin punësimin dhe të ardhurat.”– tha Tabaku.

Ajo e mbylli fjalimin e saj me një citim të Thomas Jefferson, që kur përshkruante një qeverisje të mirë i vishte asaj cilësitë e një qeverie që “duhet të parandalojë njerëzit të dëmtojnë njëri-tjetrin, duhet t’i lërë të lirë të rregullojnë sipërmarrjet e tyre dhe nuk ka përse të fusë dorën në xhepin e biznesit.”


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *