Ish-kryeministri francez François Fillon dhe gruaja e tij Penelope, janë dënuar me burg për shkak të një skandali për “punë të rreme”.
Fillon u dënua me pesë vjet burg, tre prej të cilave mund t’i kryejë me punë në komunitet, kurse gruaja e tij me tri vjet punë në komunitet, shkruan BBC. Po ashtu të dy u gjobitën me nga 375,000 euro.
Ish-kryeministri u shpall fajtor pasi i kishte shpikur një vend pune gruas së tij, duke i paguar 831.400 euro. Por ajo s’kishte punuar asnjë ditë. Ajo gjithashtu u shpall fajtore për bashkëpunim për përvetësimin dhe fshehjen e fondeve publike.
Skandali plasi në vitin 2017, gjatë fushatës zgjedhore për president. Kur akuzat u shfaqën, vlerësimet për kandidatin e qendrës së djathtë ranë dhe ai e humbi kryesimin ndaj Macron, i cili fitoi dhe mandatin për kreun e shtetit.