Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi në video-mesazhin drejtuar qytetarëve pas aktakuzave nga Gjykata të cilat ndërprenë edhe dialogun në SHBA mes Kosovës dhe Serbisë ka deklaruar se nëse ato konfirmohen do japë dorëheqjen.
Thaçi tha se udhëheqësit duhet si burrështetas të vërtetë dhe me drejtësinë nuk do përballet nga zyra e Presidentit.
“Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat. Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë.
Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam. Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian.
Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj. Një shtet evropian e një shoqëri multi-etnike. I them edhe një herë JO hakmarrjes dhe PO tolerancës ndëretnike. Vetëm duke ndërtuar demokracinë qytetare ndërtojmë të ardhme euroatlantike”-deklaroi Thaçi.