Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj kërcënon kompanitë e transportit urban: Nëse s’filloni punën, ju heq licencën


Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka kërcënuar kompanitë e transportit publik se do u hiqet licenca në rast se nuk e ndërpresin bojkotin dhe nuk fillojnë nga puna.

 “Bashkia e Tiranës i ka plotësuar të gjitha kërkesat e kompanive të autobusëve. Mund të vazhdojnë debatet me ministrinë, edhe unë dua të vazhdoj një diskutim me ministrinë sepse duhen subvencionuar studentët, duhen subvencionuar personat me aftësi të kufizuara, duhen subvencionuar veteranët; por, ky diskutim mund të vazhdojë fare mirë duke nisur punë. Unë do të jem avokati i tyre, por në momentin kur ata thonë: ‘O të gjitha, o rashë e vdiqa’, ju garantoj se disa kompani do humbasin licencën e transportit në Bashkinë e Tiranës”, ka deklaruar sot Veliaj.

Dhe ai beson se nuk ka asnjë problem për licencat sepse ai menjëherë mund të ia japë një operatori tjetër, për të filluar shërbimin e transportit urban.

“Kush i vë në dyshim këto që po them, le të kthehet te Astiri ose te Teatri dhe të shohin a e mbajmë apo jo. Ne jemi qytetarë sepse zgjedhim të flasim si qytetarë dhe të sillemi si qytetarë. Por, kur dikush bllokon rrugën dy vjet, kur dikush bllokon Teatrin dhe e zapton tre vjet, kur dikush thotë: ‘Nuk dua ta nxjerr autobusin’, ndërkohë që kërkesat i plotësohen 100%, kjo është të mbash qytetin peng. Këtë qytet nuk e ka mbajtur sot peng askush në këto 5 vite dhe kjo është arsyeja pse ky është paralajmërimi i fundit. Nëse operatorët nuk dalin, fare mirë humbasin licencën, e cila do të hidhet në treg dhe vjen e merr një operator tjetër”, është shprehur Veliaj.

Punonjësit e transportit publik në Tiranë kanë protestuar për ditë me radhë para Ministrisë së Infrastrukturës për të kërkuar t’i plotësojnë kërkesat e tyre, veçanërisht atë të dhënies së një page tjetër lufte.

Ata shprehen se kanë marrë vetëm një pagë 40 mijë lekëshe që prej muajit mars dhe rezufojnë të rinisin punën sipas protokolleve të ministrisë.

Sipas Shoqatës së Transportit Publik, zbatimi i protokolleve do të thotë që autobusët dhe fugonët të mbushen vetëm me 25% të udhëtarëve, gjë e cila do t’i çonte kompanitë e transportit drejt falimentimit. Ata shprehen se ndihen të braktisur nga shteti, i cili nuk ka dhënë asnjë ndihmë apo lehtësim financiar për këtë sektor./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *