Policia e Shkodrës ka ndaluar sot një të dyshuar, lidhur me atentatin që iu bë dje kushëririt të deputetit socialist Luan Harusha.
I dyshuari i moshës 33-vjeçare rezulton se ishte me arrest shtëpie, masë të cilën e ka thyer kur ka dalë për t’i zënë pritë kushëririt të deputetit.
“Nga strukturat e DVP Shkodër, në vijim të hetimeve intensive për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme, u bë identifikimi dhe ndalimi i autorit të dyshuar, shtetasit Gj. P. 33 vjeç, banues në Lagjen ‘Mark Lula’ Shkodër, i cili ka thyer masën e sigurisë ‘Arrest në shtëpi’.
Ky shtetas u ndalua pasi dyshohet se në orën 12:30, datë 29.06.2020, në fshatin Vukatanë, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit në pronësi të DPSHTRR, që drejtohej nga shtetasi F. H., 30 vjeç, banues në Dobraç, Shkodër.
Vijojnë hetimet e mëtejshme për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.”– thuhet në njoftimin e policisë.
Mesditën e djeshme, disa persona të paidentifikuar hipur mbi motor qëlluan me armë drejt makinës së Fatjon Harushës, i cili është kushëri i deputetit Luan Harusha.
Ai ka thënë për policinë se nuk e ka idenë se kush janë autorët dhe ka deklaruar se nuk ka asnjë konflikt me persona të tjerë.
“Unë nuk e kam idenë se kush janë autorët. Nuk arrita t’i shoh dhe nuk kam asnjë ide se kush janë. Personalisht nuk kam asnjë konflikt me persona të tjerë apo probleme, ndaj edhe nuk e kam idenë përse ka ndodhur kjo ngjarje. Autorët as nuk i njoh dhe as nuk e di pse më qëlluan. Kur pashë se po qëllonin në drejtim të makinës sime, menjëherë i dhashë shpejtësi, u shmanga dhe më pas u larguan”, ka thënë 33-vjeçari, Harusha.