Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri Luigi Soreca dhe Ambasadorja amerikane Yuri Kim kanë zhvilluar një takim me znj.Vitore Tusha anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe tashmë drejtuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi pas largimit të Ardian Dvoranit.
Në një postim në rrjetet sociale, Soreca shkruan se funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është kyç për bisedimet e anëtarësimit me BE-së duke theksuar rolin e rëndësishëm që ka KED-ja në të.
Gjithashtu, Soreca ka përmendur edhe opinionin e fundit të Komisionit të Venecias lidhur me debatin mes Presidentit dhe mazhorancës socialiste në Kuvend për përzgjedhjen e kandidatëve të Gjykatës Kushtetuese.
“Bashkë me ambasadore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, takuam znj. Vitore Tusha, kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një Gjykatë Kushtetuese funksionale është një kusht kyç për bisedimet e anëtarësimit me BE-në dje për demokracinë dhe stabilitetin në Shqipëri. Roli i KED për të ecur me shpejtësi në këtë proces është i rëndësishëm.
Presim një vlerësim të shpejtë për vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për tre poste vakante në Gjykatën Kushtetuese. Opinioni i Komisionit të Venecias është një mundësi për të rënë dakord për mënyrën sesi të ecësh përpara për të siguruar funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, që është institucioni i vetëm që mund të interpretojë Kushtetutën dhe të vendosë mbi konfliktet kushtetuese. Fryma e reformës në drejtësi ka të bëjë me vetëqeverisjen dhe pavarësinë. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi është krijuar për këtë qëllim dhe renditja dhe vlerësimi i kandidatëve duhet të jetë profesional dhe i pavarur.
Roli i KED-së 2020 është të konsolidojë institucionin dhe praktikat e tij dhe të sigurojë që publiku të ketë besim të plotë në vendimet e tij. Bashkimi Evropian qëndron krah Shqipërisë dhe të ardhmes së saj si anëtare e BE-së“ – shkruan Soreca.