Drejtoria e Shëndetit Publik në Durrës, e cila merret me hetimin dhe përcaktimin e rasteve me Covid -19 ka dalë jashtë funksionit.
Report TV thotë se infektimi i tre personave të personelit të këtij institucioni, është bërë shkak që i gjithë stafi të shkojë në banesat e tyre dhe të karantinohet.
I fundit që ka ikur në banesë është shoferi i ambulancës, i cili transporton personelin që merr tamponët.
Ky institucion ka marrë ditën e sotme vetëm disa tamponë te Shtëpia e Fëmijës dhe më pas personeli është larguar për në banesat e tyre.
Në Durrës është pikërisht ky institucion që bën tamponët personave që dyshohen se kanë Covid-19 por pas kësaj, qytetarët kanë mbetur në mëshirë të fatit.