Vendosni fjalën kyçe....

Doktor Pipero: Vendimi i BE-së për të mos hapur kufijtë me ne ishte i nxituar, u ndëshkuam se ishim të sinqertë


Mjeku infeksionist, Pëllumb Pipero thotë se vdekja e kolegut të tij Arjan Pushi nga Covid-19, ishte një lajm shokues dhe vetëm sa vërtetoi se ky virus është i rrezikshëm dhe nuk përjashton askënd.

Ndërsa ishte i ftuar në programin “Ilva Now” në “Euronews Albania”, Pipero tha se se në këtë fazë ku jemi tani, janë 2 gjëra që duhen pasur gjithmonë parasysh për të vënë virusin nën kontroll.

 “Faza e dytë e kësaj epidemie do mirëkuptim dhe bashkëveprim; nga përgjegjësia e qeverisë kalon në përgjegjësi të të gjithë qytetarëve në respektim të dy masave fare të thjeshta. Kjo pandemi ishte historike dhe na dha një mësim historik; distanca dhe mbajtja e maskës, krahas higjienës, janë të mjaftueshme për ta mbajtur nën kontroll këtë epidemi. Atje ku janë respektuar këto masa rezultatet kanë qenë shumë të mira.

Do t’ju lutesha të gjithë qytetarëve që edhe sot pasdite, në darkë apo nesër në mëngjes të nisin të respektojnë distancën dhe vendosjen e maskës dhe për 1 javë apo 10 ditë epidemia vihet nën kontroll”, tha mjeku.

Ndërkohë ai komentoi edhe vendimin e BE-së për të mos e përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve të sigurta, duke e quajtur të nxituar.

“Ndërkohë, përsa i takon vendimit të Këshillit të Europës, për ta veçuar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të qenë të lirë për të hyrë në vendet e unionit, si specialist i shëndetit publik e konsideroj si të nxituar dhe të pabazuar në të dhëna reale.

Kjo sepse situate tek ne, nuk është në atë nivel që rrezikon shëndetin e qytetarëve në vendet fqinje. Ne kemi një numër shumë të vogël, në raport me komunitetin jashtë Shqipërisë. E them si specialist i shëndetit publik dhe mjek infeksionist, nuk rrezikohet shëndeti i askujt pse vjen në Shqipëri.

Mjafton të mbajmë maskën e të ruajmë distancën. Tek ne, për shkak të strategjisë së aplikuar, gjurmimit të rasteve dhe tamponimit edhe të kontakteve, ky numër del relativisht i madh. Ju garantoj se në vendet e tjera tamponi nuk i bëhet kontakteve, vetëm rasteve klinike.

Ne kemi qenë dhe vazhdojmë të jemi të sinqertë, jua them sinqerisht. Ndoshta po dëmtojmë veten por vazhdojmë të jemi të sinqertë. Unë personalisht mendoj se në këtë situatë, e vërteta është më e rëndësishme se statistika.”– tha doktor Pipero.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *