Hapet gara për segmentin rrugor Milot-Fier, pjesë e Korridorit Adriatiko-Jonian, i cili është 115 kilometra.
Ministrja e Infrastrukturës dhe e Energjetikës, Belinda Balluku thotë se kjo rrugë do të përshkruhet për 75 minuta dhe do të lehtësojë qarkullimin e brendshëm, si dhe bashkëpunimin rajonal dhe europian të transportit.
Ajo ka dhënë detaje të mëtejshme lidhur me projektin, duke zbuluar se ky aks do të jetë me pagesë, por qytetarët do të kenë dhe një aks tjetër pa pagesë që do mirëmbahet nga e njëjta kompani.
Balluku tha se garancia që jep shteti, është 1.2 miliard euro.
“53 km gjurmë rrugë të reja dhe 62 km që do të jenë gjurmë ekzistuese, por të rehabilituara, e gjitha gjurma e ndërtuar si pjesë e segmentin Milot Fiet, do të shoqërohet nga rrugë ndihmëse, dytësore pa pagesë. Të zgjedhin mes rrugës së shpejtësisë me pagesë, apo rrugëve dytësore të mirëmbajtura nga investitori, por pa pagesë. 0.075 euro për KM për makinë. Garancia që do të garantojë shteti është 1.2 miliard euro, 10% e shumës. 110 km në orë është shpejtësia maksimale dhe i gjithë korridori nga Miloti te Bypasi i Fieri për 1 orë e 15 minuta. Milot-Kashar brenda 2024, ndërsa Kashar-Lekaj 2026”, tha Balluku.