Nëse mendonit se makinat e Lamborghini-it janë të kushtueshme, prisni derisa të shihni modelin e tij të fundit.
Siç shkruan Daily Mail, Lamborghini së bashku me një prodhues varkash italian, janë duke bashkëpunuar për prodhimin e një jahti, i cili do të vihet në lëvizje nga një motor V12, e që prodhon deri në katër mijë kuaj fuqi.
Superjashti i quajtur “Tecnomar 63” i Lamborghini-t është frymëzuar nga marka italiane Siân FKP 3. Megjithatë ka dhe tipare të marra nga modele të tjera nga e kaluara e Lamborghini-t.
Numri 63 simbolizon kohën kur Lamborghini u themelua në vitin 1963.
Jahti me nofkën “Lamborghini mbi ujë”, do arrijë shpejtësinë maksimale prej 112 km në orë dhe do të ketë një gjatësi prej rreth 20 metrash.
“Ky jaht përfaqëson rëndësinë e krijimit të një partneriteti të vlefshëm, në të mirë të palëve. Bashkëpunimi ynë lejon që thelbi i stilit dhe ekspertizës së të dy organizatave të transferohet në botë të ndryshme, duke u ndarë në larminë e tyre për të interpretuar dhe shtuar vlerën e produktit përfundimtar në një mjedis të ri.”- tha Stefano Domenicali, Kryetar dhe CEO Lamborghini-t.
Jahti i parë do të jetë në dispozicion për t’u blerë vitin e ardhshëm.