Petro Koçi ka hequr dorë nga kryesimi i partisë së tij dhe është rikthyer tek Partia Socialiste. Lajmi u bë i ditur nga Elisa Spiropali, e cila është ministre e shtetit për marrëdhëniet me Parlamentin.
Ajo tha se Koçi do të mbajë postin e kryetarit të ri të Këshillit Socialist në njësinë Nr. 6, në Tiranë.
“Kënaqësi që bashkë me Blerinën dhe Ervinin, prezantuam Petro Koçin, kryetarin e ri të Këshillit Socialist të njësisë 6. Petro s’ka nevojë për shumë fjalë hyrëse, edhe pse për të fjalët e mira nuk mungojnë kurrë.
Faleminderit kandidatëve të tjerë prezent, që unanimisht shprehën dëshirën për të punuar si ekip. Së shpejti, do të organizojmë takimin me të gjithë Këshillin Socialist të njësisë për të filluar punën e përbashkët deri në fitore, sic ia do zakoni Kombinatit”, shkruan Spiropali.
Petro Koçi që nga viti 2009 ka drejtuar partinë politike “Partia Socialiste e Vërtetë 91”. Gjatë qeverisjes së PS-së, ai ka mbajtur postin e zëvendës ministrit të Mbrojtjes që nga viti 2014, pozicion të cilin vijon ta ketë.