Vendosni fjalën kyçe....

Pompeo thirrje Turqisë që të mos kthejë Shën Sofinë në xhami


Sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo i bëri thirrje Turqisë të lejojë ish-katedralen bizantike të Shën Sofisë të mbetet muze.

Komentet bëhen një ditë para një vendimi gjyqësor që mund t’i hapë rrugën kthimit të ish-katedrales në xhami.

Shën Sofia, objekt i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, e cila ka qenë në zemër si të Bizantit të krishterë ashtu edhe të perandorisë Osmane myslimane, është një nga monumentet më të vizituara të Turqisë, raporton Zëri i Amerikës.

Shën Sofia mbaroi së ndërtuari në vitin 537 me teknika futuriste për Kostandinopojën e atëhershme.

Ajo ishte katedralja kryesore e Krishtërimit, më e madhja në botë për 900 vjet me radhë dhe u bë xhami osmane në vitin 1453.

Shën Sofia, e quajtur Ayasofya në turqisht, u shndërrua në muze në vitin 1934 nën themeluesin laik të republikës moderne turke, Kemal Ataturk, por çështja që aktualisht ndodhet para gjykatës e sfidon ligjshmërinë e atij vendimi.

Presidenti Tayip Erdogan, një mysliman i devotshëm, ka propozuar kthimin e Shën Sofisë përsëri në xhami.

Në një deklaratë, Sekretari Pompeo vlerësoi qeverinë turke për mirëmbajtjen e ndërtesës “në një mënyrë të jashtëzakonshme” si muze, por tha se një ndryshim i statusit të saj do të zvogëlonte vlerat e trashëgimisë së saj.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Turqisë të vazhdojë ta ruajë Shën Sofinë si muze, si një shembull i angazhimit të saj për respektimin e traditave të besimit dhe historinë e larmishme që ka kontribuar në Republikën e Turqisë dhe për të garantuar se ajo do të mbetet e aksesueshme për të gjithë,” tha zoti Pompeo.

Nënkryetari i Partisë AK të zotit Erdogan, Numan Kurtulmus, u përgjigj menjëherë se kjo është një çështje e sovranitetit kombëtar.

“Autoriteti i vetëm vendimmarrës për statusin e Shën Sofisë i përket Turqisë. Ne nuk kemi nevojë për këshillat ose rekomandimet e askujt për punët tona,” tha ai.

 


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *